Xhandarmëria mbretërore e Kanadasë (GRC) dyshon se karteli i Sinaloas, një prej organizatave më të fuqishme kriminale në botë, pastron paratë e pista përmes një kazinoje në Kahnauake, në jug të Montrealit. Sipas asaj që mëson La Presse, forcat policore të tri vendeve po hetojnë për një pastrues të mundshëm parash të kartelit që është infiltruar në industrinë e lojërave të fatit në rezervatin e Mohokut.
Edhe nëse Loto-Québec përsërit vazhdimisht që industria private e lojërave në territoret autoktone është e jashtëligjshme, klientela mbetet gjithmonë atje.
Gjatë një vizite të fundit të La Presse, në mes të ditës, vendi ishte plot me lojtarë entuziastë që vinin nga qytetet fqinje për t'u ulur në një nga 400 makineritë e fundit. Një përzgjedhje thuajse po aq e bollshme sa ajo e kazinosë së Mont-Tremblantit, për të bërë një krahasim.
Gjëja e vetme e veçantë ishte fakti se shumë prej makinerive të Magic Palace janë në spanjisht. Pak njerëz e dinë, por aktiviteti ka lidhjen të ngushta me Meksikën, prej implikimit të një manjati kazinosh meksikane në ishullin e Montrealit: Luftar Hysa.
Aleanca me "El Mayo"-n
Zoti Hysa, një biznesmen i lindur në Shqipëri, bëri bujë në Meksikë në shtator të vitit 2022 për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar: dy gazeta konkurrente, El Universal, më pas Milenio, cituan burime nga shërbimet federale meksikane të sigurisë se ai ka bërë një marrëveshje për të pastruar para për kartelin e Sinaloas.
El Universal pretendon se sipas shërbimeve të inteligjencës qeveritare, marrëveshja është bërë mes familjes Hysa dhe Ismael Zambada Garsias, ose "El Mayo", kreu i një fraksioni të kartelit, me qëllim riinvestimin e të ardhurave nga trafiku i drogës në ekonominë e ligjshme përmes projekteve të pasurive të paluajtshme ose turistike.
"Ata zbuluan se El Mayo kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është nën shënjestrën e autoriteteve financiare prej aktivitetit të çrregullt ekonomik të regjistruar në sektorin e turizmit dhe të kazinove, si në Meksikë ashtu edhe në Shqipëri", shkruan gazeta.
"Aktualisht, sipas autoriteteve federale, shqiptarët po kryejnë një operacion për llogari të kartelit Sinaloa që synon të transferojë miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive guaskë", vijon gazeta.
Gazeta Milenio citoi burime nga "kabineti i sigurisë" i qeverisë meksikane, që arritën në të njëjtin përfundim dhe shtuan se një pjesë e pastrimit të parave është bërë përmes "kazinove të vendosura në veri të Meksikës".
Në deklaratat për disa media meksikane dhe shqiptare, zoti Hysa dhe përfaqësuesit e tij mohuan çdo lidhje me kartelet apo paratë e drogës.
Hetimi delikat
Por sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga La Presse, GRC-ja beson se Luftar Hysa riciklon para nga trafikantët meksikanë dhe që përdor një kazino në Kahnauake për ta këtë.
"Gjithçka tregon se Luftar Ali Hysa ka hyrë në rezervatin indian të Kahnauakes për të pastruar para në emër të kartelit meksikan të Sinaloas, po ashtu edhe për llogari të tij," thotë një hetuese policie.
Hetuesja pretendon se ekipi kombëtar i inteligjencës kriminale të GRC-së e konsideron zotin Hysa një pastrues ndërkombëtar parash me bazë në Kebek. Ajo vëren se biznesmeni udhëton vazhdimisht mes Montrealit, Meksikës dhe Europës.
Oficerja i policisë tregon gjithashtu se autoritetet e Shqipërisë kanë kërkuar ndihmën e policisë kanadeze në hetimin e Luftar Hysës. Në kërkesën e tyre, ata thonë se biznesmeni "dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal me veprimtari pastrimi parash në Meksikë, Kanada, Panama, Poloni dhe Shqipëri".
"Grupi ka 30 kazino e restorante në Meksikë, Kanada, Belize dhe Poloni për të lehtësuar aktivitetet e tij," specifikon hetuesja në përmbledhjen e saj për autoritetet shqiptare.
Për shkak të kontekstit historik shumë të tendosur, ka qenë e vështirë për policinë kanadeze të ndërhyjë në territorin e Mohokëve që nga kriza Oka e vitit 1990. Por dokumentet e siguruara nga La Presse tregojnë se GRC-ja ka punuar në fshehtësi për t'iu afruar objektivit: pas leximit të informacionit të depozituar në gjykatë nga hetuesit, një gjyqtar urdhëroi CIBC dhe Desjardins që t'i siguronin policisë deklaratat bankare të zotit Hysa dhe disa kompanive.
Kur u pyet të hënën për këtë dosje, Duejn Zakari, kreu i Peacekeepers, policia e Kahnauakes, thjesht theksoi se agjentët e tij kishin provuar se ishin bashkëpunëtorë të çmuar në disa dosje për shërbimet policore jashtë rezervatit.
"Peacekeepers e Kahnauakes punojnë me shumë organizata policore dhe ne bashkëpunojmë me çdo agjenci që ka nevojë për ekspertizën tonë", deklaroi ai pa dhënë asnjë koment tjetër.
Zyrtarisht, Luftar Hysa nuk figuron publikisht si pronar i Magic Palace. Megjithatë, në një intervistë për një televizion shqiptar ka thënë se është pronar i lokalit Mirela, që ndodhet brenda kazinosë, që mban edhe emrin e bashkëshortes së tij.
Kur Poker Palace, paraardhësi i Magic Palace, restauroi ambientet dhe mori përsipër të pajisej me pajisje profesionale hotelerie, në vitin 2017, faturat u bënë edhe në emër të Poker Palace të Kahnauakes, por pagesa prej 220,000 dollarësh është bërë nga Luftar Hysa, tregojnë dokumentet e depozituara në Gjykatën e Lartë si pjesë e një mosmarrëveshjeje kontraktuale.
Në Google, komenti i një konsumatori të kënaqur i publikuar për Magic Palace përfshin edhe një foto të Luftar Hysës, duke buzëqeshur dhe me pjata në dorë. GRC-ja thotë edhe që e kanë parë atje gjatë hetimit të tyre.
Tre referendume negative
Hapja e Magic Palace ishte e diskutueshme në Kahnauake. Popullata e rezervatit ka votuar tri herë kundër hapjes së kazinove përmes referendumeve ndër vite. Megjithatë, struktura arriti të ngrihej falë një projekti pilot për videolotaritë, të cilat herët a vonë duhet të rivlerësohen nga këshilli i grupit (këshilli informoi La Presse se nuk donte ta diskutonte këtë çështje publikisht, sepse është debat i brendshëm i komunitetit).
Në një intervistë me The Canadian Press, një përfaqësues i këshillit tha vitin e shkuar se shumica dërrmuese e klientëve vjen nga jashtë rezervatit. Projekti pilot parashikonte që aktiviteti t'i paguante honorare këshillit të grupit. Magic Palace bëri një dhurim shtesë prej 1 milion dollarësh për komunitetin vitin e shkuara për ndërtimin e një qendre të re kulturore.
Aktivitetet e Magic Palace mbikëqyren nga Komisioni i Lojërave të Kahnauakes, i cili imponon kontrolle të rrepta që synojnë kufizimin e çdo përpjekjeje për përvetësim financiar: gjatë hyrjes, çdo klient duhet të tregojë letërnjoftimin dhe një adresë dhe të japë një numër aktiv telefoni dhe t'i merret fotografia për qëllime identifikimi.
Por në denoncimin e paraqitur para gjykatësit, GRC-ja përmend se një pjesë e fondeve të transferuara nga aktiviteti rrëshqet në të çara. Qendra e Analizës së Transaksioneve Financiare dhe Raporteve të Kanadasë (CANAFE), agjencia federale përgjegjëse për monitorimin e sektorit financiar, ngriti alarmin në mars të vitit 2023 në lidhje me "aktivitetet e mundshme të pastrimit të parave, sidomos Rezervati Indian i Kahnauakes në Shqipëri nga Luftar Ali Hysa".
Një raport i dërguar në GRC-ja nga organizmi që ka nën shënjestër Luftar Hysën, por edhe kompaninë e tij të ndërtimit në Shqipëri, Valona Konstruksion, si edhe sipërmarrësin mohok Stenli Miou, që shfaqet si pronar i Magic Palace.
Kujtojmë se Hysa ka vizituar disa herë zyrën e kryeministrit Rama në Shqipëri.