‘’Drejtuesit e kryengritjes u pushkatuan, mbi 100 kryengritës të tjerë u burgosën dhe u dënuan me dënime të rënda. Por megjithëkëtë, kryengritja e Zhapokikës, si lëvizja antikomuniste më e fuqishme e banorëve të jugut të Shqipërisë, tronditi thellë regjimin diktatorial dhe pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit’’ shkruan Berisha ndër të tjera.
Të dashur miq, sot është 75 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Zhapokikës, e cila shënon një faqe të ndritur të revoltës dhe qendresës heroike të banorëve të kësaj zone dhe të jugut të vendit kundër diktaturës mizore komuniste të Enver Hoxhës.
Banorët e Zhapokikës, Tepelenë në shtator-tetor të vitit 1948 të përballur me represionin e egër dhe terrorin komunist, u organizuan dhe krijuan çetën e luftëtarëve të lirisë të drejtuar nga Komandant Bajram Kamber Ahmata. Sekretar politik, Xhemal Brahimi, Mehmet Yzeiri nënkomandant, Sulo Kaso dhe Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Çeta e luftëtarëve të Lirisë i vuri vetes si qëllim kryesor organizimin e kryengritjes së armatosur antikomuniste, përmbysjen me armë të regjimit komunist dhe krijimin në Shqipëri të një qeverie kombëtare.
Drejtuesit dhe anëtarët e Çetës vendosën lidhje me familje dhe persona antikomunistë dhe nacionalist në zona të tjera të Tepelenës, por dhe Beratit, Mallakastrës. Mirëpo sulmi i tyre kundër forcave të regjimit nuk pati sukses. Me gjithë trimërinë e pashoq të luftëtarëve të lirisë, armatimi i pakët bëri që sulmi i kryengritësve të Zhapokikës të dështojë. Kryengritja e banorëve të kesaj zone u shtyp me egërsi të paparë.
Drejtuesit e kryengritjes u pushkatuan, mbi 100 kryengritës të tjerë u burgosën dhe u dënuan me dënime të rënda. Por megjithëkëtë, kryengritja e Zhapokikës, si lëvizja antikomuniste më e fuqishme e banorëve të jugut të Shqipërisë, tronditi thellë regjimin diktatorial dhe pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit.
Nderim për jetë martirëve të Zhapokikës, kryengritësve të saj!