Berisha: Do të bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës evropiane, të vërtetat e Ramës dhe regjimit të tij!

Hënë, 09 October 2023 14:51
Nga fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së. thirrur sot në mesditë.
 

"Ne nisëm analizën në parti. Ritmet e kësaj analize janë ngadalta, - tha Berisha ndër të tjera. -  Por analiza është e domosdoshme. Është e domosdoshme së pari për të paraqitur para mbështetësve tanë dhe anëtarëve tanë tablonë e vërtetë të farsës elektorale maj 2023.

Jo rrallë dëgjon mendime, por ne i dimë ato, është e vërtetë që një pjesë e mirë e dinë, por ne punojmë me durim edhe për ata të cilët krejtësisht të qartë nuk e kanë. Edhe për ata që thonë se Edi Rama i vjedh, por i fiton zgjedhjet. Këta nuk janë të pakët. 
 
Edhe për ata të cilët thonë se këta njëlloj janë. 
 
Pra, janë një seri kategorish qytetarësh, me të cilët ne jemi të detyruar të ulemi, të dialogojmë, të arsyetojmë.
 

Janë 600 mijë, e thashë edhe njëherë, që votuan kundër qeverisë. Atëherë, arsyetimi me ta, debati me ta, është i domosdoshëm, kemi të bëjmë me një regjim të qartë diktatorial.

Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit.

Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Mediat kanadeze publikuan një artikull të gjatë të tërë për kartelin e Sinaloas dhe miqtë e Edi Ramës, Luftar Hysën, etj.

Pra, të gjitha këto e bëjnë më të komplikuar betejën tonë, por ne do e bëjmë këtë betejë, se ne kemi të drejtën, ne kemi të vërtetat me vete.

Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë."

Login to post comments