Ekzekutimi i intelektualëve/ Berisha: Rama përdori një skemë për të përdhosur edhe njëherë deputetët martirë

E Enjte, 12 October 2023 12:42

Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli për mediat pas aktivitetit përkujtimor me rastin e 76-vjetorit të dënimit të deputetëve dhe grupit të intelektualëve.

“Përulemi para deputetëve martirë, të cilët hapën për së gjalli varret e tyre, për të qëndruar besnikë ndaj vlerave themelore të individit dhe një shoqërie të lirë.

Në kushte terrori të kuq, ata vendosën të grupohen në emër të pluralizmit politik si një opozitë e vërtetë.

Ata, ndjenë se paslufta për shqiptarët do të ishte një pushtim i ri i egër dhe pavarësisht nga kjo situatë e krijuar, ata vendosën të kundërshtojnë regjimin, vendosën të sakrifikojnë jetën, rininë dhe çdo gjë të tyre për të vërtetat që duhet të qëndrojë çdo njeri.
 
Ekzekutimi i deputetëve të quajtur të pavarur, ishte de facto ekzekutimi i pluralizmit politik në Shqipëri.
 

Sot ne erdhëm këtu në respekt të kujtimit të tyre dhe familjarëve të tyre, që ishin këtu të pranishëm.

Se, natyrisht, organizimi i kësaj ceremonie nga njeriu, i cili ka trashëgimi direkte familjare ekzekutimin e disidentit kolos, Havzi Nelës, jo në 46-ën, por në 88-ën, dhe nuk kërkon ndjesë për aktin prej xhelati të babait të tij biologjik, është një ironi e tmerrshme fati.

Ne erdhëm këtu për familjarët, siç e patë në mënyrën më absurde, Instituti i Studimeve të Përndjekjes Politike ishte zëvendësuar me Autoritetin e Dosjeve.

Kjo është skema e Edi Ramës për të përdhosur edhe njëherë deputetët martirë.

Dënoj këto skema të shpërfytyruara, të padenja dhe shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për sakrificën e deputetëve guximtarë, kurajozë, të cilët luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga një diktaturë që u vendos fill pas mbarimit të luftës në këtë vend,” tha Berisha.

Login to post comments