Rama sulmon Kurtin: Po bën gabime, veriu i Kosovës është toka e askujt, KFOR duhet të marrë kontrollin

E Enjte, 12 October 2023 16:00
Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish homologun kosovar, Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit.

 

Rama deliroi kur tha se Kurti po bën gabime që po ia vështirësojnë atij përpjekjet te ndërkombëtarët për çështjen kosovare.

Rama tha se Kurti i bën këto për konsum të brendshëm politik.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”
, tha Rama.

Kryeministri e vazhdoi fjalimin skandaloz duke thënë sërish se KFOR duhet të marrë kontrollin e veriut të Kosovës. Rama hodhi poshtë punën profesionale të policisë së Kosovës, duke thënë se për këtë arsye duhet vendosur kontrolli nga KFOR-i.

"Kufiri me Serbinë është katandisur në një rrjetë të çarë kudo, ky hyjnë armatime, drogë, ndërkohë që forcat ekzistuese të kufirit janë të pamjaftueshme. Unë këtu flas për përgjegjësinë absolute që KFOR do të marrë për ta vënë në kontroll veriun. Gjë që forcat e Koosvës nuk e bëjnë dot. Këtë e thonë vetë udhëheqësit e lartë të Kosovës. KFOR e ka shprehur sa herë ka kërcitje, pakënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës, sepse është e qartë nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet se nuk kemi bashkëpunim. Kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës," tha Rama.

Rama insistoi sërish te fjalia e tij e rëndë se veriu i Kosovës është toka e askujt. Duke folur për përplasjen e tij me Ramush Haradinajn, Rama tha se ajo ishte përplasje personale.

Edhe pse Shqipëria është një vend i krimbur nga droga, korrupsioni dhe krimi i organizuar, Rama tha se ai vlerësohet shumë nga ndërkombëtarët, ndryshe nga sa ndodh me Kosovën.

Login to post comments