Pasi për disa javë me radhë, "Piranjat" kanë numëruar disa nga faktet e mega-skandalit të dy anijeve-gjenerator, që nga qiraja absurde që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 64 milionë dollarë e deri tek kompanitë offshore me të cilat KESH ka lidhur kontratë, na ka mbetur diçka e rëndësishme për të kuptuar në lidhje me “Exelerate Renco”, kompaninë e cila do të administrojë këtë kontratë miliona euroshe.
“Piranjat” shkuan në adresën e kompanisë, por kuptuan se “Exlerate Renco” nuk ka asnjë zyrë në këto ambiente, ku ndodhet vetëm zyra ligjore “Boga Asociated” e cila mesa duket, mes shumë kompanive, përfaqëson edhe “Exelerate Renco:.
Me të drejtë, përfaqësuesja e “Boga Asociated” nuk dha asnjë informacion për kompaninë për të cilën, por në kartvizitën e studios ligjore, për çudi është publikuar i njëjti numër me atë që ka depozituar “Exelerate Renco” në QKB. E njëjta gjë ndodh edhe me adresën e-mailit.
Në këtë histori mund të mos ketë asgjë të paligjshme, por kur kemi të bëjmë me një kompani që do të paguhet disa qindra miliona euro nga shqiptarët, ngjan absurde që të mos ketë kontakte zyrtare të saj të publikuara në internet. Dhe këtu disa dyshime lindin! Piranjat kanë gjetur zyrat, nëpërmjet adresës së publikuar.
Nuk mund të vihet ne dyshim se individët mund të jenë të punësuar nga kompania italiane “Renco”, por ama, ngjan qesharake kur pretendojnë se nuk kanë asnjë informacion për “Exelerate Renco”. Për më tepër që bazuar në adresën e publikuar në QKB, kjo kompani e themeluar mes “Exelerate Holding Albania” dhe “Rencos” italiane, është në të njëjtin ambient. Madje edhe vetë “Exelerate Holding Albania” sipas QKB, rezulton në të njëjtin ambient.
Historia e strehimit të disa kompanive të lidhura me njëra-tjetrën, nën një zyrë të vetme është kthyer në një praktikë të zakonshme. Si rasti i kompanive të lidhura me skandalin e inceneratorëve, të gjitha në një ambient në qendër të bllokut në Tiranë. Dhe fundi i kësaj historie, dihet fare mirë si ishte.
Nuk u kuptua qartë tendenca e punonjësve për ta fshehur faktin e bashkëjetesës së tre kompanive në një zyrë. Por ajo që u kuptua është se në Shqipëri kemi “Exelerate Renco”, një kompani qe nuk ka një zyrë, një adresë emaili, një numër telefoni të saj dhe KESH-i, me shumë zemërgjerësi pritet t’i japë në administrim mbi 300 milion euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë.
Dhe në Vlorë situata ishte kjo…