PD, Balliu për Majlinda Bufin: Është e denoncuar në SPAK për presione e shantazh ndaj votuesve

Diel, 15 October 2023 14:40
Shefi i Organizimit të PD, Klevis Balliu ka denoncuar sërish kryebashkiakun e Roskovecit, Majlinda Bufi për presione ndaj medias.
 

Balliu deklaroi se, Bufi është paditur në SPAK për presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre të lirë në zgjedhje.

 
Deklarata e Klevis Balliut:

Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufin, pas publikimit të fakteve të qarta të presioneve dhe shantazheve ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre të lirë në zgjedhje.
 
Me zë dhe me figurë, u dokumentua mënyra si Bufi përdorte zyrën shtetërore për të kërcënuar qytetarët me ndihmën sociale apo vendin e punës.
 

Këto fakte do ishin të mjaftueshme për procedimin e saj dhe vendosjen e shembullit se si NUK duhet ta shpërdorojë detyrën një zyrtar publik.

Mirëpo në vend të veprimit të shpejtë dhe të palëkundur të drejtësisë ndaj pushtetares, ne sot gjejmë arrogancën e saj, e shprehur në padi civile ndaj Syri TV dhe Piranjat Shoë për publikimin e fakteve që e gozhdojnë.

Me bindjen e palëkundur se Piranjat dhe Syri TV do e vazhdojnë misionin e vet duke publikuar të vërtetat e pakundërshtueshme dhe të parehatshme të pushtetit, ne i bëjmë thirrje prokurorisë së posaçme të bëjë detyrën dhe të mbyllë hetimet, pasi dëshmitarët janë pyetur dhe provat janë të qarta.

E vërteta e Bufit është e vërteta e procesit zgjedhor të deformuar në të gjithë Shqipërinë, ku administrata përdori kulaçin dhe kërbaçin e pushtetit lokal për të ushtruar presion mbi shtresat më të brishta të shoqërisë.

Login to post comments