Brenda një dite të vetme, në 10 tetor 2023, kryebashkiakët Erion Veliaj dhe Emirjana Sako, kanë derdhur në llogaritë e kompanisë me pronarë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin pak më shumë se 400 mijë euro.
Ndërsa Bashkia e Durrësit ende nuk ka shfaqur probleme për këto fatura, pasi ka parashikuar fonde të fryra që në fillim të vitit 2023.
Kompania “Integrated Energy bv” është nën sekuestro që prej 1 gushtit të këtij viti, në vijim të hetimeve që po kryen SPAK-u për korrupsion dhe pastrim parash.
Që nga momenti i sekuestrimit e deri më tani, në llogaritë e koncesionarit janë arkëtuar mbi 3 miliardë lekë të vjetra ose rreth 3 milionë euro, ku peshën më të madhe e mbajnë bashkitë e Tiranës dhe Durrësit.
Kontrata koncesionare e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë off-shore, me pronarë të fshehur Zoton e Mërtirin, parashikon që bashkitë do të paguajnë 29 euro për ton mbeturina.
Kjo tarifë përfshin depozitimin, ndarjen e mbeturinave dhe incerimin e tyre.
Kompania koncesionare nuk ka kryer asnjëherë djegien e mbetjeve, pasi nuk ka ndërtuar inceneratorin, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen abuzive të faturës për institucionet publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi një vit më parë që qeveria dhe Bashkia e Tiranës të negociojnë me kompaninë koncesionare për të ulur çmimin e faturës, për shkak se shërbimi nuk kryhet i plotë. Ky rekomandim është injoruar deri më tani, edhe pse kompania menaxhohet nga një administrator i Agjencisë Shtetërore të Sekuestrimeve dhe Konfiskimeve.