Berisha theksoi se “tani s’kam pushtet dhe nuk arrestoj asnjë njeri”, duke shtuar se nuk do të lejojë që një gjyqtar mercenar të rikshkruajë Kushtetutën në tavolinë, refuar gjykatës së çështjes së tij.
“Garantoj çdo qytetar se me qëndrim tim po mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën, përndryshe do shkoj në gjykatë pa asnjë problem për të zbardhur të vërtetat e fshehura qëllimisht. E ftoj Ramën të ketë guximin të votojë amendametin që heq çdo mbrojtje ndaj deputetit shqiptar. Disa deputetë të PS mund të mos e votojmë, por ata të opozitës do e mbështesin. Nuk do të lejoj që një gjyqtar mercenar të rikshkruajë Kushtetutën në tavolinë. Deklaroj me vendosmëri se nuk i lejoj vetes asnjë kufizim dhe hezitim për t’iu përgjigjur Prokurorisë dhe Gjykatës, jam i prirur të shkoj dhe s’kam asnjë vetëkufizim. E ftoj Ramën të jetë burrë dhe të votojë amendamentin që propozova në vitin 2012. Tani s’kam pushtet dhe nuk arrestoj asnjë njeri. Ata që marrin përsipër të shkruajë Kushtetutën janë banditë të shtetit. Pas 3 vitesh hetime shteruese, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim nuk gjetën asnjë provë dhe as fakt për të ngritur kallëzim penal ndaj meje” tha Berisha në konferencë për mediat nga selia blu.
Vendimin e GJKKO një ditë më parë, që la në fuqi ndaj tij masën e detyrim paraqitjes dhe ndalimit për të lëvizur jashtë vendit e quajti të paligjshëm. Të paligjshëm e cilësoi dhe vendimin e gjykatës për ti caktuar avokate kryesisht në procedimin penal ndaj tij lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
“Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme”, tha Berisha.
Pëllumb Gjoka
Kryedemokrati, i pyetur nga gazetarët për veprimet e fundit të SPAK ku ka sekuestruar pasuritë e Pëllumb Gjokës, tha se Jamarbër Malltëzit ia sekuestruan brenda një ore, ndërsa Gjoka u lejua ti zhvendoste paratë.
“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij. Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi. Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston. Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i. Tani thanë se njerëzit do pyesin se këtij ia sekuestruan të gjitha pronat, dhe ato që ka pasur kur ata kanë punuar si zyrtarë në OKB, kanë pasur një rrogë më të madhe dhe kanë blerë prona, edhe ato të gjitha ia ka sekuestruar SPAK i partisë. Kurse për Pëllumb Gjokën u kujtuan dje. Dje u kujtuan, kurse për këtë u kujtuan brenda një ore. Flet vetë. Ato që bëhen nën presion nuk janë kurrë pozitive. Ato nuk prodhojnë kurrë pozitivitet“, deklaroi.
“Pëllumb Gjokës iu dha mundësia gjatë kësaj periudhe të zbrazë çdo gjë. të gjitha, llogaritë dhe çfarë kishte. Dhe kjo ishte e qëllimshme. Se Pëllumb Gjoka, përveçse mik i Edi Ramës, është edhe mik i Taulant Ballës. E kam deklaruar këtu se ka udhëtime në Itali me Taulant Ballës. Se gjëja e parë, Pëllumb Gjokës i bllokoheshin të gjitha llogaritë. Përkundrazi, kjo sekuestro u vendos pasi ai zbrazi të gjitha llogaritë. I çoi paratë ku deshi”, shtoi.
“Të hënën në parlament”
Berisha deklaroi se deputetët demokratë do të jenë në seancën e së hënës (30 tetor) në Kuvend pavarësisht se vetë Berisha dhe 22 deputetë të tjerë opozitarë u përjashtuan nga Komisioni i Etikës.
Sa i përket aksionit opozitar, Berisha paralajmëroi se “do të jetë uragan” dhe do të jetë i bashkërenduar me aleatët.
“Do shkojmë në seancë. Aty do jemi, po parlamentin nuk e braktisim. Ne kemi vendimet tona, ata do donin që ne të iknim, por absolutisht jo. Kjo është betejë pa kthim”, u shpreh.
“Aleatët e mbështesin plotësisht aksionin që nisëm. E kanë mbështetur dhe e mbështesin. Ky është një aksion opozitar që do bëhet uragan opozitar. Edhe nga Partia e Lirisë. Të gjithë bashkë, nuk kemi asgjë të ndarë. Vendimi është konsultuar paraprakisht me Partinë e Lirisë. Dhe vazhdojmë. Vazhdojmë betejën”,shtoi.
726 prona të ushtrisë iu kthyen pronarëve
Në vazhdën e argumenteve kundër akuzave të prokurores Enkelejda Minollai e cila ia atribuon qëllimeve korruptive për të favorizuar Malltezin, marrjen e disa vendimeve nga qeveria Berisha, ky i fundit dha një informacion.
“Kjo është një listë me 626 prona të ushtrisë dhe pastaj nja 100 të tjera, 726, të cilat në vitin 2003 janë hequr nga plani i vendosjes dhe përhapjes së forcave të armatosura. Në këtë listë figurojnë të gjitha komplekset e klubit Partizani, se janë 3-4 ata, janë disa. Për ata që përpiqen të mashtrojnë dhe thonë se u hoq me qëllim nga qeveria. Se qeveria nuk heq, qeveria propozon. E kam thënë që nuk ka asnjë propozim. Për të gjithë ata që mendojnë se kjo është prona e vetme e ushtrisë, mashtrojnë jo dhjetëra, por qindra e qindra herë. Sepse jo kjo, por qindra e qindra prona të ushtrisë u janë kthyer pronarëve, aty ku ka pasur pronarë. Ose pastaj janë futur në proces privatizimi sipas ligjeve”, tha ai.