Aurel Plasari: Në 100-vjetorin e Turqisë së sotme mike

Diel, 29 October 2023 12:42

Nga Aurel Plasari: 


Në 100-vjetorin e Turqisë së sotme mike

SI DO TA BËNTE EUROPIANE TURQINË Z. ATATÜRK

Nuk më duket të ketë rëndësi parësore nëse themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemâl Atatürk, ishte apo jo me prejardhje shqiptare (“de pure race albanaise”), siç e dëshmon për shembull albanologu Richard Busch-Zantner në “Albanien” (1939). Rëndësi paraqet vizioni i tij prej reformatori, i cili ka vlerë modeli edhe për shqiptarët për të marrë vesh se ç’kuptim ka nocioni “reformë” dhe ç’do të thotë “reformim” i një shteti. Nga vepra e biografit të tij autoritar August Ritter von Kral (“Das Land Kemâl Atatürks”) po përmbledh një listë të reformave në fjalë:

3 mars 1924: Shpallet mbarimi i institucioneve muslimane të Halifatit, të Sheriatit dhe të Vakëfeve brenda kufijve të Republikës Turke;

12 gusht 1925: Ndalohet mbajtja e fesit dhe rekomandohet kapelja europiane;

30 nëntor 1925: Mbyllen teqetë dhe zaviatet (bashkëvëllazëritë) fetare muslimane në gjithë Republikën Turke;

31 dhjetor 1925: Pranohet dhe hyn në fuqi Kalendari europian;

17 shkurt 1926: Hyn në fuqi Kodi Civil duke u përjashtuar “E Drejta Muslimane” edhe për çështjet familjare e trashëgimore;

24 maj 1928: Zëvendësohen shifrat arabe me shifra europiane;

3 nëntor 1928: Zëvendësohet alfabeti arab me alfabetin latin;

9 nëntor 1928: Miratohet Ligji i laicizimit të shtetit;

31 dhjetor 1928: Hiqet mësimi i arabishtes e i persishtes nga shkollat e mesme;

1931-1935: Organizohet lëvizja kombëtare për pastrimin e gjuhës dhe rishikimin e historisë kombëtare;

21 prill 1934: Reformohet institucioni i “Gjendjes civile” duke i detyruar qytetarët të marrin secili një emër dhe mbiemër për veten dhe për pjesëtarët e familjes;

3 dhjetor 1934: U ndalohet klerikëve - muslimanë, të krishterë dhe hebrej – mbajtja e petkave fetare jashtë vendeve ose veprimtarive fetare;

27 maj 1935: Caktohet e diela ditë pushimi e përjavshme.

Etj.

fb A.P.

Login to post comments