Rrjeti i njohur britanik, BBC, ka publikuar sot një investigim bombastik që tregon se Lulzim Basha u financua përmes rusëve në mënyrë sekrete.
Në qendër të investigimit të BBC është një kompani offshore e quajtur Alpha Consulting, e cila ka ndihmuar për të krijuar disa kompani të tjera të përdorura nga rrethi i ngushtë i Vladimir Putinit.
Alpha Consulting, me qendër në Sejshelle, ka ndihmuar mes të tjerësh edhe bosin e mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin për të fshehur jahtin e tij.
Mes tyre është edhe kompania Biniatta Trade, e cila ka paguar një lobist amerikan për llogari të Lulzim Bashës.
PJESE NGA SHKRIMI
Përveç shfrytëzimit të këtij shtegu ligjor, Alpha mund të ketë shkelur ligjin në lidhje me partneritetet skoceze, gjë që kërkon që njerëzit që vërtet i kontrollojnë ato të zbulohen.
Në mars të vitit 2017, firma e përfshirë, Biniatta Trade LP, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lobisti organizoi një akses tek politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zotit Basha do t'i krijohej mundësia për të bërë një foto me presidentin e atëhershëm Donald Trump, e përdorur më vonë në fushatën zgjedhore në Shqipëri.
Raportet e vitit të kaluar sugjeruan se shërbimet e fshehta amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i të cilit ishte Ta Bëjmë Shqipërinë të Madhe Përsëri, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë.
Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit të kompanisë offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të Alpha-s përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, i cili emëronte pronarin përfitues si një shtetas rus i quajtur Maxim Trofimets.
Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, z. Trofimets nuk u deklarua si "personi i kontrollit të rëndësishëm" të Biniatta-s dhe një kandidat i Alpha deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej.
Të nesërmen, i njëjti kandidat i Alpha-s nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e z. Trofimets mbi Biniatta-n.
Pas raportimeve të mediave për një lidhje të mundshme me Rusinë në vitin 2018, pronarja e Alpha-s Victoria Valkovskaya tregoi në një email se si Biniatta mund të fshehë pronësinë e saj.
Pronësia e Biniatta-s mund të strukturohet duke përdorur një fondacion në Sejshelle me pesë këshilltarë të emëruar "në mënyrë që të mos deklarohet një person kontrollues".
Kjo do të jepte pamjen se asnjë person nuk kishte kontroll mbi 25% të kompanisë, pragu sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për kërkesën për të emëruar një person me kontroll të rëndësishëm.
Biniatta ndoqi këshillën dhe nuk u deklarua asnjë person me kontroll të rëndësishëm. Alpha tha se kundërshton pretendimin se u përpoq të shmangte që Biniatta të bënte një deklaratë të tillë.
Në shtator të këtij viti, Këshilli i Europës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi.
BBC u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën.
Zonja Valkovskaya, drejtoresha e përgjithshme e Alpha-s, tha se ajo "kategorikisht" mohoi që kompania e saj të ishte e përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm. "Ne kemi zbatuar gjithmonë ligjin. Përdorimi i të emëruarve nuk është diçka e re apo e paligjshme në industri," tha ajo.
Alpha Consulting tha se "përfshirja e saj në partneritetet e kufizuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar është e kufizuar në ofrimin e këshillave dhe asistencës për regjistrimin, inkorporimin dhe strukturimin e tyre në përputhje me rregulloret e Mbretërisë së Bashkuar".