Edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Lartë që rrëzon vendimin e qeverisë për shembjen e hotelit të Kristaq Belit në Himarë, IKMT-j e Edi Ramës nuk e njeh atë.
Kështu Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka lajmësuar sot, se nesër do të shkatërrojë hotelin e Kristaq Belit, i cili ka qenë komisioneri i Fredi Belerit në zgjedhjet e 14 majit.
Kristaq Beli dhe Foto Stramarko janë pronarët e hotelit që do të shembet nesër. Fjorentin Beli, ka qenë numërues në Himarë. Dhe për këtë arsye, socialistët dhe Jorgo Goro kanë vendosur që ti shembin hotelin.
IKMT fillimisht shkoi për të hedhur në erë hotelin tre ditë pas zgjedhjeve të 14 majit. Por pronari pretendoi se kjo ishte hakmarrje, pasi ai kishte qenë numërues në zonën ku u vulos fitorja e Belerit në Himarë.
Fjorentin Beli ishte një nga numëruesit në Kudhes, zonë ku u vulos fitorja e Belerit, i cili ndodhej pas hekurave në momentin që votohej për të. Beleri u arrestua nën akuzën e shitblerjes së votave.
Prokuroria pretendon se ka prova se Beleri po shpërndante 40 mijë lekë të reja për vota. Ai u vu në pranga më 12 maj, në mesnatë, teksa ndodhej në lokalin e tij në Himarë dhe ende ndodhet pas hekurave. Gjykata e ka lënë në burg.