Gazetari Genc Burimi e ka cilësuar si skandalin e dytë brenda ditës vetëofrimin e Edi Ramës për strehimin e refugjatëve, pas moslejimit të deputetëve të opozitës në Parlament.
Në një lidhje me Skype për Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, Burimi thotë se ky skandal nis që në momentin kur kryeministri Rama firmos marrëveshje të tilla pa vënë në dijeni Parlamentin shqiptar. Ai shprehet se këto skandale po e varrosin endrën shqiptare drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Po përjetojmë një atentat të dyfishtë kundër parlamentarizmit në Shqipëri. Atentati i parë në mëngjes që u penguan deputetët të hynin në Parlament dhe të ushtronin detyrën e tyre kushtetuese dhe atentati i dytë është ky që po trajtojmë tani, pra çështja e hotspoteve. Është një turp një skandal. Nuk është një ide e re. Është një ide që u hodh që në 2018-ën nga Danimarka dhe Austria. Ashtu siç u hodh dhe u varros në çast. Ato dy vendet aso kohe mendonin se Shqipëria do të bëhej hotspot. Nga ai moment Bashkimi Evropian tha ‘unë nuk dua të ngatërrohem sepse është një patate e nxehtë’. Pse? Të vijnë këta njerëz, rreth 50,000 në muaj do të thotë që në radhë të parë ti po bën një krim kundra njerëzimit. Me ç’yë drejtë Shqipëria do të marrë e të fus në qendra të izoluara, si në burgje, njerëz që nuk i kanë bërë asgjë keq Shqipërisë.
Që të përzësh një emigrant nga vendi yt duhet që vendi pritës i origjinës të lëshojë një leje kalimi. Mendoni ju se Siria, Iraku, Afganistani lëshojnë leje kalimi? Pra, Shqipëria në pak muaj do të gjendej në qindra mijëra refugjatë. E imagjinoni skandalin apo jo? Kjo do të varrosë edhe idenë evropiane të Shqipërisë sepse këta njerëz do të mundohen të kalojnë pastaj nga Shkodra, nga Mali i Zi, pyjeve, detrave .
Si mund të bësh ti një firmosje të tillë pa vënë në dijeni Parlamentin tënd, është e ardhmja e shqiptarëve, e fëmijëve tanë, e brezave tanë.”