Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët/ Financial Times: Brukseli ka ngritur pikëpyetje për skema të tilla

Hënë, 06 November 2023 22:31

Mediat e mëdha ndërkombëtare po i bëjnë jehonë marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni për ngritjen e dy qendrave për pritjen e refugjatëve në zonën e Lezhës.

Financial Times shkruan se Shqipëria do presë refugjatët që përpiqen të arrijnë në BE përmes detit. 

 

Meloni tha se kjo është një zgjidhje inovative, duke shtuar se emigracioni i paligjshëm është një fenomen që shtetet e BE-së nuk mund ta luftojnë të vetme.

Kryeministrja italiane tha se një marrëveshje e tillë do bëhet model edhe për vendet e tjera.

 
 

Por gazeta Financial Times shkruan se Brukseli ka dyshimet e tij për marrëveshje të tilla.

“Është hera e parë që një vend i BE-së i jep procedurat e tij të azilit një vendi që nuk është ende pjesë e bllokut. Shqipëria është në bisedime për t’u bashkuar me BE-në dhe është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Marrëveshja i bën jehonë marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila megjithatë është e zhytur në sfida ligjore.

Komisioni Europian tha se ishte në dijeni të marrëveshjes, por se nuk kishin marrë ende detaje. “Është e rëndësishme që çdo marrëveshje e tillë të jetë në respekt të plotë të së drejtës së BE-së dhe ligjit ndërkombëtar,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli në të kaluarën ka vënë në pikëpyetje nëse skemat për përpunimin e kërkesave për azil në vendet jo anëtare të BE-së janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë se personat që kërkojnë mbrojtje në një vend tjetër, nuk mund të dërgohen pa u dëgjuar fillimisht kërkesa e tyre,” shkruan gazeta.

Qendrat e refugjatëve do ndërtohen 20 kilometra larg bregut, në rajonin e Gjadrit. Rojet policore shqiptare do jenë në ngarkim për patrullimin e qendrave.

Sipas FT, mendohet se të paktën 36 mijë emigrantë do mbërrijnë çdo vit në këto qendra.

Ato do jenë plotësisht operacionale në pranverë të vitit që vjen.

Login to post comments