Avokatët e Berishës: Gjykata nuk ka zbardhur vendimin, rrjedhimisht masa e sigurisë e ka humbur fuqinë

Tuesday, 07 November 2023 13:11

Avokatët e kryetarit të opozitës, Sali Berisha, denoncuan se Gjykata e Posaçme nuk e ka zbardhur vendimin për masën e sigurisë ndaj tij, në shkelje të ligjit.

Avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi thonë se në këto kushte, masa e sigurisë ndaj Berishës e ka humbur fuqinë.

 

DEKLARATA E PLOTË

 

Pas shkeljeve flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) nuk heziton të cenoje edhe ligjet e tjera të vendit. Në shkelje flagrante dhe të rëndë të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO ende sot nuk ka zbardhur vendimin për konfirmimin e masës se sigurisë, të cilin sipas ligjit, ka pasur detyrim ta zbardhte brenda 48 orësh nga dhënia e vendimit të masës së sigurisë.

 
 

Siç jeni në dijeni, me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023, GJKKO ka caktuar masat shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” kryetarit të opozitës dhe ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha. Mediatikisht kemi mësuar se kjo gjykatë e ka rikonfirmuar këtë masë shtrënguese me vendimin e shpallur në datë 26 tetor 2023.

Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, kanë kaluar 12 ditë dhe ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e gjykatës. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit procedural penal, i cili në nenin 248 pika 2 fjalia e fundit, përcakton se: “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve”.

Mosekzistenca e një vendimi të zbardhur dhe të arsyetuar ka sjellë si pasojë, moszbatimin e këtij vendimi brenda afatit të caktuar në ligj.

Ligjvënësi e ka lidhur ngushtësisht vlefshmërinë e masave shtrënguese personale me shpalljen e vendimit dhe zbatimin e masave brenda afatit të caktuar procedural dhe këtë rregull bazik për vendimet që caktojnë masa sigurimi shtrënguese e ka saktësuar në pikën 7 të nenit 249 K.Pr.P, e cila përcakton se “Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë”.

Në këto kushte, akti nr. 112 datë 20.10.2023, me të cilin janë caktuar këto masa shtrënguese e ka humbur fuqinë, në përputhje me parashikimin e pikës 7 të nenit 249 K.Pr.P

Ligji procedural penal ka parashikuar afate strikte në rastin e masave shtrënguese, duke qenë se këto janë veprime procedurale që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit, në një moment kur personi prezumohet i pafajshëm.

Sipas afateve procedurale, vendimi do të duhej të ishte arsyetuar dhe depozituar brenda 48 orëve, nisur nga data 26 Tetor 2023, sipas nenit 248 pika 2 K.Pr.P.

Brenda pesë ditëve nga ky afat, nga ana e mbrojtjes do të duhej të paraqitej ankimi, sipas nenit 249 pika 1/1 K.Pr.P.

Brenda 3 ditëve nga realizimi i njoftimeve, sekretaria e gjykatës do të duhej të dorëzonte aktet në Gjykatën e Apelit, sipas nenit 249 pika 3 K.Pr.P.

Përfundimisht Apeli do të duhej të shprehej brenda një afati prej 10 ditësh, sipas nenit 249 pika 5 K.Pr.P.  

Në rastin konkret, shkelja e afateve për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga GJKKO, i ka humbur fuqinë vendimit të caktimit të masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, caktuar ndaj kryetarit të opozitës dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha.    

Për sa më lart, arrijmë në konkluzionin se, masat shtrënguese personale të caktuara nga deputetit të Kuvendit të Shqipërisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, të cilat janë edhe antikushtetuese sikurse e kemi parashtruar më herët, e kanë humbur gjithashtu fuqinë e tyre, për shkak të moszbatimit brenda afatit, shkaktuar kjo nga moszbardhja e vendimit sipas afatit procedural prej 48 orësh. 

Për sa më lart, i kemi kërkuar GJKKO konstatimin e humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, caktuar ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, bazuar në nenet 248 pika 2 dhe 249 pika 7 K.Pr.P.

Av. Genc Gjokutaj

Av. Sokol Mëngjesi

Login to post comments