Nga Jozefina Topalli
"Në shumë vende afrikane, opozita shpesh konsiderohet dhe shikohet si armike nga qeveria. Atyre nuk i jepen resurse dhe akses në media; nuk i lejohen zgjedhje të lira e të ndershme; ata persekutohen nga pushtete të ndryshme si Garda, gjyqësori, policia dhe vete maxhoranca në parlament. Në parlament ata nuk lejohen të zhvillojnë detyrën kryesore - atë të mbikëqyerjes së qeverisë.”
Pamjet që kemi parë përmes mediave, ku opozita nuk lejohej të hynte në parlament, nuk bënin ndonjë dallim me atë që thuhej për vendet afrikane.
Kriza e vendit nuk zgjidhet me sjellje brutale ndaj opozitës, duke mbyllur me dry, shula, brava, dyert e parlamentit për të penguar deputetët e opozitës të kryejnë detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore.
Pamjet shokuese e brutale të pushtetit kundra opozitës, që japin të gjitha mediat sot, përcjellin akte turpi politike, të paimagjinueshme, që nuk i ka njohur kurrë historia e tri dekadave. Nuk është Garda në fakt, që mund të guxonte të bënte një çmenduri të tillë. Urdhri është politik dhe i paprecedent.
Në Kushtetute shkruhet se ne jemi Republikë Parlamentare dhe në Republikën Parlamentare, opozita është thelbi i jetës demokratike. Pjesëmarrja e saj në jetën parlamentare është kritike për një demokraci të shëndetshme parlamentare.
Nëse opozitës i vidhet emri dhe vula e identifikimit si forcë politike, nëse ajo nuk lejohet të hyjë në zgjedhje me emrin e kryetarit të saj, nëse opozitës nuk i lejohet të luajë rolin e saj, të mbikëqyrë pushtetin, të kritikojë, të kërkojë komisione hetimore, të mbrohet nga Kushtetuta, nëse deputetët e opozitës nuk lejohen as të hyjnë në zyrat e tyre, atëherë... lamtumirë pluralizëm!