Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar drejtpërsëdrejti kryeministrin Edi Rama si iniciatorin e sulmit dhe të goditjes së opozitës. Në konferencën për shtyp sot, ndër të tjera Berisha theksoi:
"Se cili është interesi i Edi Ramës, të mendosh se Edi Rama qenka i gjithëfuqishëm dhe paska interes për procese politike, është një vetëmashtrim. Edi Rama e pa se opozita, kokën e të cilës e korruptoi, e pa se doli jashtë çdo kontrolli.
E pa se lindi shpresa, u bashkua dhe ky bashkim lindi shpresën. E pa se jo vetëm me deklarata, por me një vëllim 600 faqesh, kjo opozitë u faktoi shqiptarëve dhe botës se ai ka vjedhur zgjedhjet dhe nuk i ka fituar. E pa se me këtë opozitë nuk fiton më zgjedhjet, se Sali Berisha dhe opozita do ta mundin atë. Pra, është një tmerr dhe ferr.
Po të jap një të dhënë tjetër. Pikërisht se e ka lepurin e tmerrshëm në bark, ka bërë miqësi me Fatmir Xhafën, drekon dhe darkon me të sepse kërkon të ndryshojë ligjet e shpërdorimit të detyrës. Dhe ligje të tjera. Në mënyrë që të shpëtojë menderen e tij pasi të lërë detyrën.
Prandaj ata që lëshojnë këtë pyetje, bëhen avokatë. Disa pa dashje, disa të mjerë, të Edi Ramës.
Po si mundet një njeri që të mohojë të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës?!
Sot, Komisioni Europian ka denoncuar mohimin e të drejtave të opozitës për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Si mund të mohosh inicativën ligjvënëse të deputetëve të opozitës?
Ku ka ndodhur në botë, që të mbyllësh dyert e ndërtesës administrative të parlamentit ku është mbledhja e grupit?
Si mundet të adaptohen këto qëndrime nga ky njeri që nuk ka frikë?
Po ky ka tmerr, e ka kapë tmerrin se ka lindur shpresa.
Ky e di në mënyrë absolute se do largohet nga pushteti. Prandaj shkon dhe firmos marrëveshje të tilla.
Prandaj dhe është i aftë për çdo gjë. Mban Belerin në burg politik, thotë po nënshkruaj me Italinë një marrëveshje që të kem një mbështetje, po i ka ardhur fundi.
Lexoni çfarë ka thënë para dy vitesh për këtë marrëveshje, që kurrë nuk mund të nënshkruhet një marrëveshje e tillë.
Por tani që po përballet me opozitën e vërtetë, nuk e di nga t’ia mbajë. Kjo është e vërteta.
Unë në betejë jam. Beteja nuk është e re për mua!"