Refugjatët në Shqipëri, si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë

E Enjte, 09 November 2023 10:56

“Nga trafiku i drogës tek pastrimi i parave, kështu dominojnë klanet në anën tjetër të Adriatikut”. Ky është titulli i një shkrimi të gjatë të gazetës italiane “La Repubblica” që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për marrjen e 36 mijë emigrantëve në vit. Në një shkrim të gazetarit Xhuliano Foschini vihet theksi tek mangësitë e Shqipërisë për të realizuar një marrëveshje të tillë. Për më tepër në shkrim vihet në dukje se trafikimi i qenieve njerëzore është gjithashtu ndër bizneset e preferuara të grupeve kriminale shqiptare.

“Si është ajo shprehja? Të shkosh në gojën e ujkut. Apo më mirë: të shqiponjës”. Një nga hetuesit italianë që e njeh më së miri lidhjen mes krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm në vendin tonë zgjedh të bëjë sarkazëm sepse sipas tij, për këtë çështje “do të ishte e vështirë të gjeje fjalë të ndryshme”. Një lidhje që nis nga Italia dhe përfundon në Shqipëri, ku Giorgia Meloni kërkon të gjejë zgjidhje për problemet tona. Thelbi është se po dërgojmë mijëra emigrantë atje ku sipas forcave tona të policisë ekziston një mafia që kontrollon dhe organizon trafikun e paligjshëm të tyre.

“Emigracioni klandestin dhe trafikimi i qenieve njerëzore”, – shkruan Drejtoria e Antimafia në raportin e fundit, “është një nga bizneset kryesore të grupeve kriminale shqiptare. “Modus operandi” i përdorur i sheh organizatat e përfshira në kalimin nga brigjet shqiptare, përmes kanalit të Otrantos, të varkave me emigrantë të shumtë, kryesisht iranianë, pakistanezë, irakianë, egjiptianë, sirianë dhe afganë”.

Janë pikërisht ata që qeveria italiane kërkon të rikuperojë në Mesdhe dhe t’i dërgojë në brigjet shqiptare.

 

“Zbarkimi i përdorur më së shumti nga kontrabandistët është bregdeti i Salentos së poshtme dhe veçanërisht, ai i Santa Maria di Leuca, por ka zbarkime edhe në brigjet e Jonit” – shkruan Antinmafia. Mënyra se si funksionon sistemi është dokumentuar mirë nga një operacion i kryer nga Guardia di Finanza dhe i koordinuar nga prokuroria e Leçes. 4 grupe të organizuara, me një bazë logjistike në Shqipëri, rekrutuan emigrantë të cilët ishin bllokuar në Greqi apo Turqi, përmes chat-it që ata kishin krijuar në Facebook.

I morën, i shoqëruan në një hotel në Tiranë dhe më pas u organizua transporti i paligjshëm për në Itali. Kostoja ishte 6 mijë euro për person dhe paratë lëviznin nëpërmjet sistemit hawala, që e bën të pamundur gjurmimin dhe për rrjedhojë është edhe mënyra e tyre e preferuar siç kanë dokumentuar dhjetëra hetime, për financimin e aktiviteteve terroriste.

Dhe është pikërisht transferimi i paligjshëm i parave, pikëpyetja e madhe që shtrihet pas operacionit në Shqipëri të dëshiruar nga qeveria Meloni. Prej disa kohësh, qeveria e Edi Ramës, nëpërmjet lobistëve të rëndësishëm, në radhë të parë ish-kryeministrit anglez Tony Blair (me shtëpinë e tij në Tiranë), kërkon mbështetje në Evropë për ta futur vendin e tij në Union. Një operacion i vështirë pikërisht për alarmet e përsëritura që agjencitë kundër pastrimit të parave bëjnë për Shqipërinë, e cila po bën përpjekje edhe me Prokurorinë Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK), por me sa duket nuk mjafton.

Tashmë është fakt që krimi i organizuar shqiptar përfaqëson një nga alarmet kryesore globale. Dhjetëra hetime të kryera fillimisht në Itali dhe më pas në pjesën tjetër të Evropës e kanë dokumentuar këtë. Të gjithë ekspertët për lidhjet e mafias e përsërisin këtë prej disa kohësh. Nga prokurori Giovanni Melillo, deri te kreu aktual i prokurorisë së Napolit, Nicola Gratteri, i cili kur ishte në Kalabri kishte identifikuar grupet e Tiranës si të vetmet rivale të vërteta të kalabrezëve në lidhje me trafikun e kokainës.

Sot shqiptarët, klanet kriminale të të cilëve kanë struktura të ngurta familjare, dhe për rrjedhojë shumë të vështira për t’u depërtuar, janë ndoshta të vetmet, ose të paktën më të pajisurat, të afta flasin drejtpërdrejt me “narkot” e Amerikës së Jugut dhe të merren me transportin e tonelatave droge për në Evropë. Ata kontrollojnë portet e Antwerpen, Roterdam dhe Hamburg.

Ata janë infiltruar duke arritur nivelet më të larta. Në Ekuador ka një alarm specifik për shkallën e korrupsionit të klasës qeverisëse nga duart e klaneve të Tiranës, e përmendur edhe për vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavencico, i ekzekutuar teksa ishte në fushatë elektorale. Ai bëri thirrje për një goditje të fortë kundër korridorit të kokainës dhe gjakut (dhjetëra vrasje në vitet e fundit) që është krijuar midis Guayaquil, qytetit më të populluar në Ekuador, dhe Tiranës.

Trafikimi ka sjellë miliarda euro në arkat e familjeve shqiptare, të cilat, duke përfituar nga legjislacioni jo i paqortueshëm kundër pastrimit të parave në vend, po investojnë ku të munden. Rezultati është i qartë për këdo që bën një turne në qytetet shqiptare. Fëmijë me super-makina, investime të jashtëzakonshme në pasuri të paluajtshme. Dhe tani edhe bumi i madh në turizëm, i cili, siç dokumentojnë hetimet e vazhdueshme në Itali, është kanali i përsosur për pastrimin e parave.

Të gjitha këto tema mbetën jashtë deklaratave prej mjalti të kryeministres Meloni me kolegun Rama. Njëlloj si pak muaj më parë kur kryeministrja italiane braktisi pushimet në Pulia për të shkuar të vizitojë mikun e saj shqiptar në anën tjetër të Adriatikut. Kjo ka krijuar jo pak edhe siklete politike. Socialistët europianë, anëtar i të cilëve është Rama, po përgatiten për një takim javën e ardhshme në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, por do e gjejnë veten krah për krah me njërin që po u jep dorën sovranistëve. Sa i ngushtë është deti. /La Repubblica, përshtati në shqip Lapsi.

Login to post comments