2 breza vrarë, i treti burgosur, për të kthyer pronën e vjedhur tek i zoti

Premte, 10 November 2023 17:20

Nga Jamarbër Malltezi

Mendoni për një moment, nëse tek Ambasada Amerikane, shteti komunist do të kishte vendosur ndonjë barake apo ndërtesë, të fusnin ndonjë uzurpator dhe mos ia kthenin sendin e vjedhur pronarit të ligjshëm, siç iu kthye në 1991-shin. A do duhej në 1991-shin, ta mbante shteti hajdut apo uzurpatori, apo mos i kthehej deri sa të priste plotësimin e procedurave të privatizimit për rrethimin e ngritur pas futjes së familjes Popaj në ambasadë, apo ta merrte Ramiz Alia e t’ia jepte me koncesion tek ndonjë hajdut strategjik të Ramës?

Po pse bëhet prokuroria politike drapër në rastin e kthimit të pronës tek 5 Familjet pronare themeluese të Tiranës?

Pronarë, këto 5 Familje, nuk i bëri asnjë proces privatizimi. Pronarë, këto pesë familje, ishin prej thuajse 100 vitesh, përmes blerjes së tokës private me para djerse.

 
 

Procesi i kthimit të pronës është kthim i sendit të vjedhur. Ky proces zgjati nga 1994 deri në 2007, kur pas dhjetëra vendimesh, qysh nga viti 1995 (njohje prone e pjesërisht kthim), prona e vjedhur iu kthye 5 Familjeve pronare. Në këtë pronë të pronarëve të ligjshëm, jashtë çdo rregulli, ishin futur 42 familje informate, të cilat banonin në kushte të mjerueshme ku ishin katandisur godinat e shumësportëshit, ndërsa klubi i futbollit ishte zaptuar nga një biznes, pa asnjë akt ligjor a një copë letër me shtetin.

Për të gëzuar sendin e konfiskuar nga regjimi komunist, pas një kalvari 13-vjeçar, pronarët fisnikë u detyruan të blejnë edhe barakat dhe ndërtesat e uzurpuara. Pra, shteti jo vetëm që ua vodhi pronën dhe ua mbajti atë për 60 vjet pa qira, por tani pronarët e ligjshëm duhet të prisnin edhe përmbi 2 vjet, për të blerë ato baraka që as nuk na duheshin, e që për më tepër, ishin të uzurpuara.

Pronarët u detyruan të paguajnë edhe afro 700.000 dollarë për ndërtimet e uzurpuara të njëri klub, si dhe 100.000 dollarë për klubin tjetër. Krahasojeni pak me çmimin 1 euro, çmim me të cilin Bolino mori 4000 m2 tokë dhe ndërtesë 2-katëshe, caktuar për gjimnaz, tokë të cilën familjet pronare ia falën shtetit për të bërë shkollë.

Këtë pronë private, pronarët e zhvilluan duke respektuar çdo ligj të vendit, por edhe me humanizëm e respekt për komunitetin. Ata strehuan 42 familje informale falas, morën një nga emrat e shquar të arkitekturës botërore për të konceptuar zonën, si Daniel Libeskind, bënë ndërtime në harmoni me mjedisin. Nëse do të kishim marrë leje klienteliste, do të kishim ndërtuar fjetore në grataçela që të zënë qiellin dhe diellin, dhe me çmim të çmendur. Por jo ne, fisnikët e Tiranës!

Nga projekti ynë, publiku fitoi mbi 2000 vende pune, miliona euro taksa, mbjelljen e 2000 - 3000 pemëve, kopshtin/çerdhen më të mirë në Tiranë, ndërtesa në harmoni me mjedisin, një ndër zonat me ajrin më të pastër në qytet, faltore për besimtarët, si edhe sistemimin e 42 familjeve informale.
 
- “SSSKAPE!” - Urdhri i Tualetit më 24.10.2020
- “SI URDHËRON!” - Përgjigja e prokurorëve shërbyes të Tualetit brenda javës, më 01.11.2020, prokurorët politikë regjistrojë procedim penal, jo hetim!

 

Taulanti me urdhrin e Edi Ramës ngriti padi në SKAP për përvetësim të paligjshëm të pronës, që sipas tij ishin shpronësuar nga Italia, dhe për privatizim të paligjshëm dhe ndikim të paligjshëm të Berishës në këtë privatizim.

3 vjet hetime deri te fëmijët e Malltezit, kryen prokurorët shërbyes të Ramës, dhe doli se Taulanti kish bërë kallëzim të rremë. Toka e 5 familjeve pronare ka rezultuar e pastër në Regjistrat Hipotekorë edhe në vitin 1945, edhe në vitin 1946. Ligji i kthimit të pronës i 2004, i ktheu tokën pronarit të ligjshëm, dhe e bëri privatizimin e objekteve mbi tokë private një detyrim taksativ për shtetin ndaj pronarëve të tokës. 

Përveç këtyre, Taulanti bëri kallëzim të rremë edhe për pjesën takuese të Malltezit. SPAK e vërtetoi kallëzimin e rremë të Taulantit, por ka frikë të veprojë, mesa duket edhe nga lidhjet e mëparshme me bandat e Elbasanit.

Malltezi është arrestuar, ndonëse nuk është as objekt i SPAK, ndërsa ai që vërtetohet se ka kryer kallëzim të rremë dhe është objekt i SPAK, kalon nën hundën e prokurorëve politikë e puthadorë, me të cilët e lidhin fijet e bandave të Elbasanit.

Pasi doli huq pretendimi i shpronësimit dhe u vërtetua se toka u përkiste 5 familjeve, atëherë filloi pretenca e reformave të qeverisë së Partisë Demokratike. Fajin ligjet dhe VKM-të. Si guxon ligji t’i kthejë pronarit gjënë e vjedhur?

Sipas prokurorëve shërbyes të Rames, toka që u ishte vjedhur pronarëve, nuk duhet t'i kthehej të zotit, por duhet ta ndajë Edi Rama për miqtë e vet.

Disa prokurorë e gjejnë normale që Edi Rama të grabisë e të ndajë 5.8 milionë m2 në bregdet (për Lecian apo djalë prokurori), por sipas komandës "SSSKAPE!", duhet të burgosë pronarët e ligjshëm për marrjen e tokës së të parëve.

Tre inventarë të Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, një prej të cilave me firmën e Edi Ramës, shprehen se të gjitha objektet e klubeve ishin të zëna forcërisht. 3 ministra të PS, përkatësisht Angjeli, Klosi dhe Majko, nisën komunikimin shkresor dhe u shprehen në vitin 2005 PRO fillimit të privatizimit (të paktën letrat e Angjelit dhe Klosit ekzistojnë), por SPAK fsheh këto shkresa zyrtare; Pra, le ta vjedhin uzurpuesit, veç pronarët ligjorë mos ta marrin pronën e tyre!

Tre vite hetime të SPAK konfirmuan se familjet pronare në Regjistrat Hipotekorë të 1945 dhe 1946, kishin rreth 67.000 m2 tokë (Begeja 28.000 m2, Vaqarri 14.120 m2, Llagami 14.120 m2 - 2 vajzat e Ramazan Deliut - dhe Alimehmeti me 10.560 m2).

Kush duhej ta gëzonte këtë tokë të blerë me flori prej familjeve Tironse? Shteti hajdut? Uzurpatori që rrinte duke darovitur zyrtarë të korruptuar? Apo ndonjë hajdut strategjik apo vrasës strategjik i Edi Ramës?

Kthimi i pronës tek pronarët ishte detyrim ligjor, jo vetëm moral; është kthim i sendit të vjedhur.

Prokurorët shërbyes të Taulantit duket se shqetësohen pse qeveria e PD-së ka nxjerrë ligje e VKM, jo për pesë familjet pronare, por akte që rregullonin kthimin e pronës tek të gjithë pronarët e ligjshëm në të gjithë Republikën e Shqipërisë, që janë me mijëra ata që rimorën pronën e tyre të grabitur.

Sipas prokurorëve politikë, Berisha nuk duhet të miratonte asnjë VKM apo ligj, meqenëse unë jam trashëgimtar i një familje pronare Tironse?

Të njëjtët prokurorë nuk ndihen për faktin se Edi Rama ka nxjerrë 3 VKM me emrin e kompanisë së Karlo Bolinos, veç për të përlarë 4000 m2 tokë e ndërtesë 2-katëshe të caktuar në Plan Rregullues për gjimnaz.

Pra, sipas tyre, Berisha, i cili nuk ka miratuar asnjë VKM me emër të posaçëm, do duhej të bllokonte çdo kthim prone tek pronarët e ligjshëm, ndërsa Rama është OK që përlan troje për t'ia dhuruar me emër të përveçëm Karlo Bolinos, Djalit të Prokurorit, të falë Portin e Durrësit, e t’u japë statusin e investitorit strategjik miqve të tij vrasës, me të cilët trimërohet.

Prokurorët politikë sulmojnë Berishën për ndërrimin e destinacionit, por “harrojnë” të tregojnë se vendimet për ndërrimin e destinacionit nuk bëheshin me emra pronarësh. Për më tepër, vendimi i KRRTRSH miratoi pesë vendime të KRRT për ndryshimin e destinacionit në pesë zona të ndryshme, të miratuara nga Edi Rama (Vendimi nr. 132/j datë 08.06.2006 i KRRT Tiranë). KRRTRSH asokohe nuk ndërronte asnjë destinacion përveç atyre që kërkonte Bashkia e Tiranës. KRRTRSH gjithnjë miratonte ato që kish miratuar Edi Rama. Veç një herë në vitin 2005, KRRTRSH rrëzoi vendimin e KRRT së Bashkisë Tiranë, të drejtuar nga Edi Rama, dhe kjo ishte me rastin e mbikalimit të Zogut të Zi. Edi Rama në atë rast solli kreun italian të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës - (Maj 2006) i cili e cilësoi vendimin e KRRTRSH si ndërhyrje e qeverisë qendrore në funksionin vendor të planifikimit të territorit. 

Rama i çoi më pas me këto argumente në Gjykatë Kushtetuese, e cila sanksionoi në 12.12.2006, të drejtën e KRRT të miratonte planet urbane të saj dhe pamundësinë e KRRTRSH të anulonte vendimet e KRRT. Por, edhe një muaj para këtij vendimi dhe para vendimit të KRRTRSH për miratimin e vendimit të Edi Ramës për ndryshimin e destinacionit të zonës së Klubit Partizani, Gjykata Kushtetuese me vendimin 24/06, datë 10.11.2006, kishte vendosur rrëzimin e ndryshimit të Ligjit për Urbanistikën që shtonte disa kompetenca të prefektit mbi aktivitetin e KRRT, duke e sanksionuar edhe me pasojat juridike të këtyre ndryshimeve. Asnjëherë tjetër, përveç rastit të Zogut të Zi, KRRTRSH nuk ndërhyri në vendimet e KRRT-ve. Pra, pse Rama ndërroi destinacionin në një zonë që kish humbur funksionin e saj sportiv për shkak të ndërtimeve informale - fajin e ka Saliu???

Për më tepër, si duhet ta dinte Berisha se kujt familje i përkiste toka, që do ndryshonte destinacioni, kur shkresa e Ramës nuk e shënonte atë? 

Prokurorët politikë më pas, të fyejnë logjikën kur pretendojnë se kalimi i VKM-së, në plotësim të një premtimi elektoral për përdorimin e letrave me vlerë, u bë vetëm që të përfitonte dhëndri i Berishës. Këtë pretendim e lidhin me atë se, për një nga 2 klubet, vlera prej afro 100.000 dollarë e të cilit u bë 20% me para e 80% me letra me vlerë në përputhje me një VKM të miratuar. Por, prokurorët politikë “harrojnë” se vetëm një muaj para kalimit të kësaj VKM-je, familjet pronare kishin paguar 100% me para, gati 700.000 dollarë, që ishte llogaritur vlera e objekteve të klubit shumësportësh. Nëse do të kishte ndikim të paligjshëm, a nuk do të mundet familja Begeja dhe pronarët e tjerë të prisnin edhe një muaj dhe të paguanin shumën prej 700 mijë dollarësh me bono privatizimi?

Për më tepër, familja Begeja (trashëgimtar i së cilës kam krenari të jem), kishte gati 40% të objekteve te klubi që na ra të paguajmë 700.000 dollarë, dhe vetëm më pak se 5% tek e vetmja ndërtesë e objektit të klubit, për të cilin u pagua 100.000 dollarë.

Kaq edhe për këtë pretendim të prokurorëve politikë, që nuk guxuan të merrnin në pyetje as Berishën e as mua, se kishin urdhër tjetër. 

Prokurorët politikë tentojnë ta paraqesin si privatizim, por në fakt është kthim i pronës së vjedhur. Tentojnë ta paraqesin sikur ka filluar me ministrin Mediu, por gënjejnë, dhe e fshehin qëllimisht nga dosja shkresën nr. 4533, protokolla më datë 21.07.2005 të ministrit Angjeli, që i adresohet ministrave Majko e Klosi, me kërkesë zyrtare për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurisë së paluajtshme të Klubit Partizani.

Një ditë më pas, me shkresën nr. 2732, datë 22.07.2005 ministri Klosi shprehet dakord për privatizimin e Klubit Partizani. (DOKUMENTAT ME POSHTE)

Asnjë nga këto 2 shkresa nuk janë përfshirë në dosjen e prokurorëve politikë, ndonëse ia kam dërguar bashkëngjitur me padinë për kallëzim të rremë të Taulant Ballës, para 2 muajsh. Pse??

Prokurorët politikë ngrenë tymnajë me sipërfaqen e Klubit Partizani: nëse ishte 26.500, 28.000 apo 30.000 m2.

Sa bëjnë lojëra, mjafton t’i drejtohen VKM-së, e cila përcaktonte se Bashkia (Edi Rama) i përcakton sipërfaqet. Në fakt, janë 7 drejtorë e specialistë të Edi Ramës (me në krye një drejtoreshë, së cilës Edi Rama i ka dhënë prokurë), që kanë përcaktuar sipërfaqet e dy klubeve. Gjithë procedura ka respektuar dhe reflektuar sipërfaqet e përcaktuara nga Bashkia e Edi Ramës. Sipas Bashkisë, një klub kishte 19.000 m2, e tjetri 26.500 m2. Pra, afro 45.500 m2, por pronarët kanë 67.000 m2 atje!

Prokurorët politikë nuk thonë se detyrimin ligjor për përcaktimin e sipërfaqes e kishte Bashkia e Tiranës, e kryesuar në atë kohë nga Edi Rama, por i shërbejnë tymnajës mediatike. Prokurorët politikë kërkojnë të ngrenë tymnajë edhe me një pikë të kontratës sime të vitit 2006, me familjarët e mi Begeja, për një fond prej 3-5%, lidhur me shpenzime të ndryshme. Kjo pikë, që është krejt normale si formë mbulimi shpenzimesh të mundshme, në fakt nuk u përdor kurrë, pasi çdo shpenzim u mbulua më pas nga firma ndërtuese dhe investitorët. Këtë gjë e kanë shpjeguar në prokurori të gjithë bashkëpronarët Begeja, por prokurorët e kanë me qejf ta lënë për tymnajë.

Tymnaja vijon me pretendimet sikur pronarët kanë gati 4400 m2 tokë shtet. Ky është mashtrim i prokurorëve politikë, pasi sipërfaqet dhe pozicionimet janë kryer nga institucionet ligjore, toka e pronarëve është bllok, pa asnjë sipërfaqe hapësire boshe në mes. Prona e tyre përfshinte një hapësirë prej 67.000 m2, pra, mbi 22.500 m2 më shumë se sa sipërfaqja e klubeve. Nga sipërfaqja 28.200 m2 e familjes Begeja, aty u kthyen veç diçka mbi 26.000 m2, pasi një pjesë ishte zënë nga rruga. 

E turpshme tymnaja e prokurorëve politikë, që përdorin tabelën e gatshme nga Tualeti i Edi Ramës, se Malltezi u bë investitor me 114 m2. Prokurorët kanë makinë llogaritëse dhe mund të llogarisin se 1/64 e 26.000 m2 i bie 410 m2, dhe jo 114 m2. Ata kanë sekuestruar çdo kontratë dhe e dinë qartë se brenda 2 viteve të para të bllokimit antiligjor nga Edi Rama, unë ndërkaq bleva edhe mbi 1000 m2 tokë nga bashkëpronarët Begeja, e në vitet në vijim edhe mbi 1100 m2 tokë aty nga bashkëpronarët e familjeve Llagami, Saliaga dhe Alimehmeti.

Prokurorët deklarojnë se një cep 857 m2 nuk u pagua. Po, ai cep është edhe sot si tokë shtet. Ka mbetur shtet, pasi familja Alimehmeti e kërkoi që të kompensohej me atë tokë, meqë kishin pjesë të zënë nga toka e tyre prej 10.560 m2. Edhe sot ajo është tokë shtet. Nuk është përdorur as për koefiçient, siç mund të shihet edhe nga Gen-Plani i lejes së ndërtimit të vitit 2003.

Gjatë hetimeve, ka dalë se Edi Rama ka kryer shpërdorim detyre, që rezultoi me dëm mbi 300.000 euro! Kjo pagesë ishte pagesa e parë e investimit të projektit tonë.
Prokurorët politikë nuk e përfshijnë as këtë vendim gjyqi në dosje. Kjo pasi duhet të ngrenë akuzë ndaj Edi Ramës, për shpërdorim detyre dhe duhet dënuar, pasi është vërtetuar me Vendim Gjykate Apeli Nr. 3698 datë 13.12.2011.

Pse kjo është çështje politike?

1. "SSSKAPE!" - Urdhri nga Rama nëpërmjet Taulant Ballës me 24.10.2020.

2. "SI URDHERON" - Brenda javës më 01.11.2020 SPAK fillon procedim penal (pa emra) - jo hetim.

3. "SSSKAPE!" - 4 herë e dërgoi Rama tualetin e tij për presion në SPAK, duke përdorur prokurorët si qen sulmi të gjuetisë së shtrigave.

4. 3 vjet hetime nxorën se kallëzimi ishte shumëfish i rremë, por SKAP u bë SNUK.

5. Arreston Malltezin pa e pyetur kurrë, e pa qenë subjekt i SPAK.

6. Prokurorët nuk përfshijnë në dosje, shkresat zyrtare nga Angjeli e Klosi, për fillimin e privatizimit.

7. Nuk përfshijnë në dosje lejen e sheshit të ndërtimit nga Edi Rama.

8. Nuk përfshijnë në dosje vendimin e gjykatës për shpërdorim detyre nga Edi Rama, ndonëse kjo pagesë prej afro 300.000 euro ishte investimi i parë në këtë projekt.

9. Përdorin tabelën e gatshme të tualetit të Edi Ramës, kinse Malltezi u bë investitor me 114 m2 tokë, kur qysh ditën e parë  1/64 e 26.000 m2 i bie 410 m2 dhe sipas kontratave të sekuestruara kanë sqaruar se brenda 2 viteve, 2007 - 2009, Malltezi bleu mbi 1000 m2 nga bashkëpronarët Begeja, e në vitet më pas edhe mbi 1100 m2 nga bashkëpronarët e familjeve Llagami, Saliaga dhe Alimehmeti

10. Shkelën të drejtën kushtetuese të J. Malltezit në Gjyqin Civil për shpifje ndaj Taulant Ballës, duke sekuestruar, përmbi 1 vit, dosjen civile për të ndaluar të drejtën për ankimim në gjykatë, a thua se nuk bënte dot fotokopje.

11. Shpërdorim detyre dhe dhunim i të drejtave kushtetuese të njeriut.

Nëse do ishte përdorur pushteti, siç për shembull, e përdor Edi Rama:

1. Nuk do zgjaste 13 vjet kthimi i tokës së vjedhur tek i zoti.

2. Nuk do kish zgjatur mbi 2 vjet privatizimi i ndërtesave në tokë pronare, por veç 2 ditë (se Rama kalon gjoja 17 firma në ditë).

3. Nuk do kishim paguar 800.000 dollarë për disa baraka të zëna forcërisht, por shumë herë më lirë, ose 1 euro, për shembull, si Bolino.

4. Do kishim edhe ne, pronarët e tokës, VKM me emër konkret personal përfituesi, siç ka nxjerrë Edi Rama 3 VKM në emër të kompanisë së Bolinos, për të grabitur shkollën. Ose si dhjetëra VKM e ligje si për Portin e Durrësit dhe/ose hajdutët e vrasësit strategjik të Edi Ramës.

5. Do kishim përlarë edhe ne, si thjeshtra e Edi Ramës, me dhjetëra tendera me para publike. Por, as unë e asnjë trashëgimtar Begeja, nuk kemi marrë kurrë asnjë lek nga fonde publike gjatë qeverisjes së PD.

6. Nuk do të kishim paguar taksa, se do të përfitonim si “strategjik”.

7. Nuk do i kishim dhuruar kopshtin më të mirë qytetit.

8. Nuk do e zhvillonim me Libeskind, por me ndonjë më të lirë; dhe jo me dashuri për mjedisin, por me grataçela që u bllokojnë ajrin dhe diellin gjithë banorëve.

9. Nuk do kishim shpenzuar 2500 m2 dhe mbi 500.000 euro për të sistemuar 42 familje informale me banesa, por do i kishim nxjerrë në rrugë, duke përdorur Policinë e Shtetit për këtë gjë.

10. Nuk do të na ishte kthyer veç 8% e pronës fisit Begeja, por do të na ishte kthyer mbi 80% e pronës.

Këto janë tipare të keqpërdorimit të pushtetit, për interes të miqve të Ramës, dhe këto batërdi i shohim çdo ditë sot, por asnjë nga këto veprime të keqpërdorimit të pushtetit për miqtë, nuk kanë ndodhur nga Berisha, por nga Rama!

Familja Begeja ka marrë mbrapsht veç 8% të pronës së vet. Por edhe te kjo pronë që iu kthye pronarëve të ligjshëm, shohim urrejtjen e bijve të grabitësve të vitit 1946.
Stërgjyshi im, së bashku me djalin e tij, e kishin emrin tek Shpallja Nr.1 e Tatimit të Jashtëzakonshëm si tregtarë të mëdhenj që duheshin goditur.

Një vëlla të gjyshes e pushkatuan shokët e vet partizanë (në ‘45- ‘46), pasi kish dalë partizan si idealist; një vëlla tjetër komunistët ia sekuestruan pronat dhe e shpallën armik. Brezi i nënës sime u lindën, rritën e vdiqën pa ditur sa prona kishin, e pa guxuar të flasin për to. Ndërsa unë (brezi i 3-të) duhet të burgosem pse kemi guxuar të na kthehet dhe të zhvillojmë me dashuri pronën e të parëve tanë.

Por siç thoshte edhe i ndjeri daja im, Bashkimi, që nuk arriti ta shijojë zhvillimin e pronës: “O çuna, edhe sikur t’ju torturojnë, do keni veç 1 fjalë. – ‘Prona tek i zoti!’- dhe keni gjithë forcën që ju duhet me u përballë me banditët, se jemi me të drejtën e Zotit dhe ligjet e shtetit”.

 
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...