Berisha: Nuk nxisim kurrë protesta kundër Italisë, kam folur edhe me Zv.kryeministrin Tajani

E Enjte, 16 November 2023 15:05

"Nuk mund të pranoj kurrë të ngre në vendin tim një valë antiemigrantë, ksenofobie, në një kohë kur në të gjithë traditën tonë kemi pasur apo s’kemi pasur, kemi qenë mikëpritës". Kështu arsyetoi lideri i opozitës, Sali Berisha, i pyetur sot nga gazetarë lidhur me qendrimin kundër marrëveshjes Rama - Meloni për kampet e refugjatëve në Shqipëri. 

Pyetja ishte: Z. Berisha, në një komunikim me gazetarët thatë që nuk jeni në favor të protestave për çështjen e emigrantëve, marrëveshjen Rama-Meloni. A është ky vendim i juaji pasojë e konsultimeve dhe bisedave që keni pasur me zyrtarë të rëndësishëm italianë, gjatë kësaj jave. A është një përgjigje e kërkesës së tyre?  

 

Dhe përgjigja e Berishës ishte: "Fatmirësisht këtë deklaratë e kam bërë para jush. Po e them këtu, që ajo është një deklaratë që buron nga thellësitë më të thella të ndërgjegjes time. Nuk mund të pranoj kurrë të ngre në vendin tim një valë antiemigrantë, ksenofobie, në një kohë kur në të gjithë traditën tonë kemi pasur apo s’kemi pasur, kemi qenë mikëpritës.

Unë i përkas një force politike të qendrës së djathtë dhe nuk mundet një parti politike e qendrës së djathtë, të ngrihet në protesta, të cilat i bëjnë ekstremet, por nuk i bën një parti konservatore e djathtë.

 
 

E treta nuk jam dakord, sepse në mënyrën absolute sepse akti është në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Konventën Europianë të të Drejtave të Njeriut, vendimeve të Strasburgut dhe unë e kam filluar hapin e parë në politike për liritë dhe të drejtat njerëzore dhe nuk lëviz gjer në fund nga kjo.

Them disa orë pasi jam shprehur para jush, më ka marrë në telefon Zv/kryeministri i Italisë, Antonio Tajani, të cilin e njoh prej 30 vitesh dhe është i Forza Italia. Më thotë "Sali, e pamë deklaratën e PD-së, e kështu ne kemi atë e këtë problem, ishte e ashpër". 

I them, i nderuar mik, dua të jem i hapur, për këto arsye që i thashë dhe ju, këtu, se PD nuk mund të organizojë protesta që të nxisë ksenofobinë. Nuk mund të nxisë protesta kundër Italisë, por gjykoj se Italia, si njeri që kam qenë President dhe Kryeministër i këtij vendi, i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Dhe ndihma italiane është shumë interesante, krahas miliardave, se ato janë njëra anë. Por shumë më tepër janë atë që kanë mësuar shqiptarët, shko, sikur të jesh në një vazhdimësi, shko atje, merr diçka, kthehu, mëso, shiko. Ka qenë në një farë mënyrë një lloj universiteti. Edhe në kuptimet e punësimit, financimit, kthimit, shkollimit.

Sot në universitet italiane mbi të ketë mbi 30 mijë shqiptarë. Sot në Itali ka mbi 20 mijë biznesmenë të mesëm dhe të fuqishëm shqiptarë, të cilët në një mënyrë apo tjetër investojnë në Shqipëri.

Por në konceptin tim, nuk protestohet kundër vendeve të lira, vetëm nëse tejkalohet çdo lloj, por si rregull, ndaj vendeve të lira, një vend që ka përjetuar diktaturën nuk është shumë normale që të protestojë. Nuk mund të krahasojmë kurrë një vend të lirë me Serbinë, psh. Jo!"

Login to post comments