Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizantë në Lezhë, është shprehur se, demokratët nuk kanë pasur kurrë përballë tyre, një armik më të egër se Edi Rama.
Berisha deklaroi se, Rama shprehet se ‘ju se nuk jeni demokratë, njëlloj si nazistët që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin një numër. Dhe do t’u thotë se nuk jeni demokratë, por ju jeni Lulzim. Se unë Bravën e kam në xhep’.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:
Vij sot në këtë takim në një moment kritik të ekzistencës të demokracisë shqiptare, në një moment kritik të ekzistencës së opozitës shqiptare, por në një moment vendimtar të misionit të saj, të shpëtimit të demokracisë shqiptare dhe të Shqipërisë.
Këtu kam marrë një fjalim të shkruar, por unë do flas me ju me fjalët e zemrës dhe jo të letrës.
Kemi 10 vite të pamerituara, nuk themi me këtë se nuk e merituam të dalim në opozitë, jo. Qeverisëm 8 vite, sovrani mendoi se ne duhet të kalojmë në opozitë.
E nderuam vendimin e sovranit dhe u angazhuam në përputhje me idealet tona si një pushtet moral i vendit për të bërë një opozitë.
Dorëzuam pushtetin, në disa aspekte me arritje epokale. Në kuptimin që nga qytetarët më fukarenj, më të varfër të Ballkanit, nga kombi në grupin e kombeve me të ardhura më të ulëta në botë, dolëm midis kombeve me të ardhura të mesme të larta.
U rreshtuam në Ballkan si qytetarët me rrogat më të larta. Dhe një seri transformimesh shumë të rëndësishme u realizuan në ato vite.
Shqipëria u anëtarësua në NATO. Shqipëria transformoi infrastrukturën, mori rekomandimin e Komisionit për statusin e vendit kandidat.
Pra, ne demokratët, kur dolëm në opozitë, dolëm duke dëshmuar me vepra se i shërbyem vendit. Dolëm me qëllimin për t’i shërbyer përsëri si opozitarë.
10 vite kanë qenë vite të rraskapitjes më të madhe tuajën, të popullit opozitar.
10 vite, rregullat bazë të demokracisë, ku pushteti dhe opozita rivalizojnë në kushte normale me alternativat e tyre, u zhdukën.
Kur Edi Rama erdhi në pushtet, i them në parlament: zotëri, lidhjet tua me krimin i njeh e gjithë bota, janë universalisht të njohura, por shqiptarët të amnistuan sepse të votuan. Dhe tani çdo gjë do përcaktohet fati i vendit, i demokracisë, se çfarë do të bësh ti me këto lidhje. Do i presësh ato me gërshërët e ligjit, vendi do të ecë. Shqipëria do ecë përpara.
Por nëse përdor pushtetin për t’i fuqizuar ato lidhje, për të shtrirë pushtetin e tyre mbi qytetarët, kjo do jetë katastrofë kombëtare. Dhe e dyta ndodhi.
Ju jeni dëshmitarë se vota juaj nuk vlen më për rotacionin. Po pse? Sepse ai është i betuar të mos dorëzojë me çdo kusht dhe çdo çmim pushtetin.
Ai ka dëshmuar një urrejtje jo më të pakët për aq sa ka në dorë, sa nazistët ndaj hebrenjve. Ai do t’u thotë ju, demokrate e demokratë, të cilët u ngritën me sakrifica të mëdha, me guxim e trimëri, e morët Shqipërinë në supe, e anëtarësuat në NATO, e nxorët nga honet e mjerimit dhe varfërisë dhe po ecte në një rrugë normale zhvillimi.
Ai do t’u thotë ju se nuk jeni demokratë, njëlloj si nazistët që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin një numër. Dhe do t’u thotë se nuk jeni demokratë, por ju jeni Lulzim. Se unë Bravën e kam në xhep.
Demokrate e demokratë, në tërë historinë që nga dita e themelimit gjer sot, ne nuk kemi përballë një armik më të egër, më çnjerëzor se Edi Ramën.
Është në detyrën tonë, në detyrimin tonë t’i themi armikut, armik dhe t’i qëndrojmë armikut si armik.