Dokumenti që e detyron Edi Ramën të dëshmojë për konçensionin e Butrintit

Hënë, 27 November 2023 13:41

Në vitin 1998, Ministri i Kulturës Edi Rama i kërkonte Kryetarit të Akademisë së Shkencave, z. Ylli Popa, t'i jepte mendim mbi projektvendimin “Për vënien tërësisht në administrimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të qytetit antik të Butrintit."

Pikërisht ky dokument, i nxjerrë nga harresa nga deputetja demokrate Ina Zhupa, në betejën e opozitës për moslejimin e dhënies me koncension të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria e Edi Ramës, sot kryeministër, e ka nxitur Zhupën të kërkojë thirrjen e tij si dëshmitar në seancat e Gjykatës Kushtetuese pikërisht për këtë çështje.

Zhupa shprehet në Fb: "Ja çfarë shkruante (Rama) në relacionin e tij drejtuar Akademisë së Shkencave: Në favor të ekskluzivitetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ndaj qendrave muzeore - që njëherazi janë dhe monumente të rëndësisë se veçantë - janë shprehur drejtues dhe specialistë të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ne Këshillin e Evropës. Në praktikat e mjaft vendeve evropiane, me të cilat jemi konsultuar, të drejtën për administrimin, mbrojtjen, restaurimin dhe dhënien e lejeve për kryerjen e gërmimeve arkeologjike, e ka Ministria e Kulturës."  

Ndryshe nga Rama-Ministër që kërkonte ekskluzivitetin e Ministrisë së Kulturës, ne kërkojmë më pak, - thekson Zhupa. - Rolin dominues të shtetit dhe mosdhënien me koncesion, pikërisht atë që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e Parisit.  

Kurse Rama- kryeministër, për interesa lobimi dhe klienteliste, kalon në modelin e dhënies me koncesion të Butrintit, një akt i paprecedentë në botë," përfundon deputetja e PD.

 

Login to post comments