Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit.
Me këtë rast e para, e shtetit tha se në këtë ditë po festohen tri festa, Dita e Flamurit, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja e parë në skenë e UÇK-së.
Kjo ditë, tha ajo, na e kujton çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificat që janë bërë ndër shekuj, madje tha se kjo ditë duhet të jetë ditë reflektimi për atë që kanë bërë të gjithë heronjtë.
Osmani pohoi se nderimi për familjen Jashari do të jetë i vazhdueshëm duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.
“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së. Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë. Është moment reflektimi për atë që heronj tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemali e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”. /EO