Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD
Marrëveshja u hartua në fshehtësi. Më 6 nëntor, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni dolën përpara shtypit të befasuar dhe njoftuan ngritjen e dy qendrave të emigracionit në bregdetin shqiptar. Deri në 3000 emigrantë, që duan të shkojnë në Itali dhe që ndalohen në det, do të dërgohen në Shqipëri nga autoritetet italiane.
Kërkesat për azil do të shqyrtohen aty nga zyrtarët italianë. Emigrantët nuk lejohen të dalin nga kampet në territorin shqiptar. Ligjet e nevojshme për këtë projekt tashmë janë futur në parlamentin e Shqipërisë. Por për shkak se shumë juristë besojnë se qendrat e emigracionit janë antikushtetuese, forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike, i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë këtë marrëveshje.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese mund të ndalojë të gjithë projektin. Ish-kryeministri dhe eminenca gri e Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha të premten se marrëveshja Meloni-Rama do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, sepse ajo shkel jo vetëm Kushtetutën, por edhe të drejtat e njeriut. Këtë mendim ndan edhe eksperti i të drejtës kushtetuese, Jordan Daci. “Është çmenduri të flasësh për diçka të tillë, lërë më pas të ratifikosh diçka të tillë në parlament,” thotë Daci për ‘STANDARD’ për marrëveshjen Meloni-Rama.
Të drejtat e sovranitetit
Një nga kritikat kryesore ka të bëjë me ligjin e sovranitetit. Një shtet nuk mund të vërë territorin në dispozicion të një shteti tjetër dhe as nuk mund t’i transferojë pushtetet ekzekutive zyrtarëve të një shteti tjetër. Për këtë arsye, oficerët e FRONTEX nuk mund të marrin përsipër detyra ekzekutive kur vendosen jashtë vendit, por vetëm mund të vëzhgojnë. “Në Shqipëri, si shtet i NATO-s, vetëm anëtarët e NATO-s, përveç shqiptarëve, lejohen të ndërmarrin veprime ekzekutive,” thotë Daci.
Përveç kësaj, hapësira ekstraterritoriale në Shqipëri lejohet vetëm për qëllime diplomatike- pra për ambasada- ose për qëllime ushtarake të NATO-s, shpjegon ai. Megjithatë, sipas marrëveshjes italo-shqiptare, qendra e planifikuar e refugjatëve në Gjadër nuk do të konsiderohet ‘pjesë e Shqipërisë’. Sipas Kushtetutës, Shqipërisë nuk i lejohet t’i dorëzojë një pëllëmbë të territorit të saj, një shteti tjetër, thotë Daci. “Kjo gjithashtu do ishte një vepër penale”.
Përveç kësaj, Shqipëria është përgjegjëse për mbrojtjen e emigrantëve në të gjithë territorin e saj përmes Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kufizimi ose privimi i lirisë së emigrantëve, që nuk kanë kryer asnjë shkelje dhe që nuk janë në paraburgim në pritje të dëbimit, është shkelje e të drejtave të njeriut.
‘Ata trajtohen si të burgosur’
Ky është pikërisht lloji i privimit të lirisë që parashikohet në marrëveshje. Në pikën e pestë të nenit të gjashtë të marrëveshjes mes Melonit dhe Ramës, thuhet: “Autoritetet kompetente italiane do të marrin masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e emigrantëve në zona dhe për të mos u dhënë atyre akses të paautorizuar në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë, si gjatë procedurës administrative, ashtu edhe në përfundimin e saj, pavarësisht se cili do jetë rezultati i procedimit”. Me gjuhë më të thjeshtë: Emigrantët do jenë të mbyllur në kampe. “Ata do trajtohen si të burgosur,” kritikon Daci.
Ai tregon se Shqipëria është ligjërisht përgjegjëse në çdo rast, pavarësisht se çfarë thotë kontrata me Italinë. Shteti i Shqipërisë nuk mund t’i shpëtojë kësaj, thotë Daci.