Samiti BE - Ballkan Perëndimor do të mbahet më 13 dhjetor në Bruksel. Kosovën në këtë takim do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, kurse Serbia do të prezantohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.
Në samitin BE-Ballkani Perëndimor do të kërkohet përsëri nga Kosova e Serbia angazhim konstruktiv për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.
Në deklaratën përfundimtare që do ta miratojnë shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të porositet se normalizimi ndërmjet Kosovës e Serbisë është “thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.
Hapësirë e madhe në deklaratën përfundimtare nga ky samit do t’i kushtohet dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Liderët evropian do t’i bëjnë thirrje palëve që, pa vonesa apo parakushte, të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit.
“Ne gjithashtu presim që palët të ndjekin përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin në përputhje me kërkesat e BE-së dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që mund të çojnë në tensione dhe dhunë të mëtejshme, dhe retorikë që nuk është e favorshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në draftin e deklaratës të cilën e miratojnë liderët por me të cilën pritet që të përshtaten edhe përfaqësuesit e shteteve të rajonit që do të marrin pjesë në samit.
Gjithashtu do të tërhiqet vërejtja se, në dritë të agresionit në Ukrainë, shtetet e rajonit duhet të qëndrojnë së bashku me BE-në si shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë.
“Një vizion i përbashkët i së ardhmes përfshin vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, do të porosisin liderët evropian, duke kërkuar nga të gjitha shtetet që t’i vendosin sanksione Rusisë si dhe të punojnë në parandalimin e anashkalimit të tyre.