Mediat greke i bëjnë jehonë deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë kongresit socialist, ku ai deklaroi se nuk e ka problem bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gazeta ‘National Herald’ shkruan se Rama vendosi të sfidojë Greqinë dhe Bashkimin Europian.
“Duke sfiduar Greqinë dhe Bashkimin Europian, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se ndjekja penale e një kryebashkiaku të zgjedhur etnik grek, të arrestuar në qytetin bregdetar të Himarës, do të vazhdojë edhe pse po bllokon shpresat e vendit të tij për në Bashkimin Europian.
Fredi Beleri ndodhet në paraburgim, ndërsa përballet me akuzat për blerje votash, të cilat ai i mohon dhe thotë se janë të sajuara për ta hequr atë nga rruga, në mënyrë që biznesmenët të mund të marrin toka në qytetin që është një zonë turistike në rritje,” shkruan gazeta.
“Rama tha se është një çështje, për të cilën do të vendosin gjykatat, megjithëse kritikët thonë se gjyqësori është nën ndikimin e tij”, thekson gazeta.