Kreu i demokratëve, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në 33 vjetorin e formimit të PD-së.
Berisha theksoi se PD ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohet, të dëshmohet si parti e misioneve të pamundura
Berisha: Të dashur ish-studentë të dhjetorit ‘90, që me guximin tuaj, me vizionin tuaj, ndatë historinë dhe epokat.
Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve, është akti më madhor pas pavarësisë së Shqipërisë.
Ju përshëndes sot dhe përulem para jush me nderimin më të pakufishëm.
Të dashur miq të mi, themelues të PD-së, mbështetës të saj në orët e para. Kam kënaqësinë që u shoh sot këtu, ju përshëndes me shumë mirënjohje për kontributin tuaj.
Përshëndes të gjithë ata që u bashkuan natën apo ditët e dhjetorit ’90 dhe vendosën më 11 dhjetor themelimin e PD. Ata ishin studentë, intelektualë, por edhe punonjës, të cilët kishin dy gjera të përbashkëta: guximin të vendosnin për krijimin e një partie, që do qëndronte karshi Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila edhe një javë pas themelimit të saj, do shpallte doktrinën terroriste marksiste-leniniste si doktrinë të saj.
Por ata kishin gjithashtu edhe individualitetin e tyre. Njerëz me kontribute në fushat nga vinin, njerëz të cilët dhanë një ndihmesë të madhe. Dhe ai individualitet ishte në vlerësimin tim, jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ruajtur shpirtin demokratik të PD, e cila themelohej në kushtet e një monizmi të plotë, total, ekstrem.
Dua të përshëndes të gjithë drejtuesit aktualë të PD, të cilët kanë një barrë po kaq të rëndë dhe të vështirë sa drejtuesit e saj në themelim. Atëherë ne përballeshim në të vërtetë me diktaturën më të egër të kohës, diktaturë e lodhur ishte ajo, diktaturë e drobitur, e dëshpëruar ishte, por përsëri diktaturë që ekzekutonte në kufi çdo javë të rinj dhe të reja, sepse niseshin për botën e lirë.
Pra, një diktaturë që në çdo moment mund t’u rikthehej metodave më të egra, por anëtarët, simpatizantët, drejtuesit e PD, qëndruan në një betejë, themeluan dhe konsoliduan PD-në, e cila udhëhoqi një front antikomunist.
Do u them këtu të vërtetën, kur ajo u themelua, përveç shqiptarëve që kishin vuajtur dhe që prisnin me padurim të shihnin dhe ata ndryshimet që kishin ndodhur në vendet e tjera, pakkush mund t’u besonte këtyre njerëzve të panjohur, pakkush mund të mendonte se këta do përmbysnin diktaturën kundër të cilës u ngritën.
Por PD ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohet, të dëshmohet si parti e misioneve të pamundura.
Ajo rrëzoi me 22 mars dhe arkivoi në histori pushtetin 46-vjeçar të Partisë së Punës.
Atë ditë që u mblodhëm në shesh, e vërteta se përveç frymëzimit, përveç idealeve, ne nuk kishim projektin e plotë të asaj që do ndërtonim.
Pse nuk e kishim atë? Sepse ne dilnim nga një izolim i plotë total. Dilnim si njerëz që nuk kishin jetuar një ditë në liri dhe unë po ua përsëris një gjë që mund ta kem thënë herë tjetër, kur dilja jashtë shtetit, qëndroja i skllavëruar dhe kthehesha këtu i skllavëruar. Kjo ishte gjendja jonë kur ne fituam mbi diktaturën.
Por njerëzit me vullnet, njerëzit me ideale, njerëzit të cilët u përpoqën me të gjithë energjitë tona të ndërtojmë atë rend që ishte jetik, të ndërtojmë rendin të cilin shqiptarët nuk e kishin njohur ndonjëherë në histori.
Me një angazhim të qytetarëve shqiptarëve, të demokratëve, ia dolëm që Shqipëria nga vendi më i hiperkolektizuar i planetit, në katër vite të kishte të prodhimit të brendshëm nga sektori privat.
Ia dolëm të ndërtojmë institucionet kushtetuese të shtetit demokratik.
Ia dolëm të mbjellim shpresën.
Në vitin 1992, 204 dollarë ishin të ardhurat për frymë. Por ato u dyfishuan nga viti në vit. Dhe ky dyfishim nuk ishte i madh si shumë, por si shpresë ishte shumë i madh.
Rritëm nga viti në vit besimin e shqiptarëve te Shqipëria.