Në një debat televiziv sot në SYRI TV, avokati i mirënjohur Kujtim Cakrani nuk e ka përmbajtur dot revoltën e tij ndaj shprehjes së përdorur nga analisti Genc Burimi, “drejtësi e re” dhe pa hezituar, duke iu drejtuar në tërësi mediave, ka argumentuar se në Shqipëri jo vetëm që nuk është bërë “drejtësi e re”, por është rikthyer ajo e vitit 1945.
“Dua të them diçka, - tha Cakrani, - se e përdorin të gjithë analistët këtë frazën “Drejtësi e Re!”
Në Shqipëri nuk është bërë drejtësi e re, që ta kuptojmë. Në Shqipëri është bërë një Vetting, është ndryshuar një personel, është ndryshuar një kastë gjyqtarësh, është ‘filtruar”, por Drejtësi e Re nuk quhet.
Drejtësi e Re për ta ditur, është kur bën reformë në Drejtësinë Penale, në Drejtësinë e Procedurës Penale dhe në Kushtetutën e Republikës , siç e ka filluar Gjermania në vitin 2021 dhe që ka vazhduar të bëjë reformë në Drejtësinë Penale. Në Shqipëri nuk është bërë reformë në Drejtësinë Penale.
Nëse ti e quan reformë që të mbash tri vjet një dosje, pas tre vjetësh ta arrestosh personin që ke hetuar në dosje dhe të vazhdosh tre vjet të tjera ta hestosh personin e të vazhdosh edhe tre vjet të tjera të bësh gjyqe, pra të kalojnë 10 vjet inkuizicion ndaj një personi, unë nuk e di nëse quhet Drejtësi e Re.
Po marr një shembull: Para tre vjetësh u arrestua me bujë të madhe mjeku Edvin Prifti. Para “3 vjetësh” - mbajeni mend!
Dhe kryeministri foli që duhet arrestuar. E arrestoi SPAK-u dhjetë minuta më vonë. E mbajtën një muaj dhe a e dini ju që sot e kësaj dite, ai po mbahet peng?! Dhe prokurori Altin Dumani, sot shef i SPAK-ut, që mediet e glorifikojnë aq shumë, tek shoh tani se si e ka ndërtuar akuzën, që e mban peng, që e mban me detyrim paraqitjeje, i ka shkatërruar imazhin, i ka shkatërruar moralin dhe i ka shkatërruar jetën, përbën inkuizicion.
Nëse ju e quani këtë Drejtësi të Re, z. Burimi, mua më vjen shumë keq. Kjo nuk është Drejtësi e Re, kjo është drejtësi me njerëz të vjetër, kjo është drejtësi me njerëz të Sigurimit të Shtetit që janë brenda aty, aty brenda!
Unë jam brez i ri dhe pa asnjë lloj kompleksi, ua kam thënë edhe atje në sallën e gjyqit: Kjo drejtësi me gjyqtarë ka vetëm vendime politike të kohës së komunizmit, drejtësi tamam si në 1945-ën!”/ar.sh/SYRI.NET