Gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së, kryetari Sali Berisha u shpreh se nuk ka ndodhur kurrë asnjëherë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa pasur prova, fakte apo dokumente.
‘Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës në kryesinë e partisë.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë.
Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe.
Frika dhe vetëm frika bënë që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh, veprimesh, të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte.
Gjatë këtyre dy-tre javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës.
Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën.
Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë.
Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të Skapit dhe me radhë.