Nga Mehmet Elezi:
1.
Nga fundi i viteve 1980 në rrethe të ngushta intelektuale u përhap një fjalë se Dr. Sali Berishën do ta “qarkullojnë”. Do ta dërgojnë mjek në Librazhd, më pas skenari i njohur.
Skenari i njohur ishte largim nga Tirana, pastaj arrestimi.
Historia rrotull nesh u përshpejtua. Te vrasja e Çausheskut, Ramiz Alia me bashkëpunëtorët lexuan fatin e vet.
Projekti u shmang.
2.
Në librin “Nuk isha student i dhjetorit” (botim i dytë i plotësuar, 2015), në pjesën e dytë, “Fletë ditari nga Elbasani”, kam edhe këtë faqe, po e përcjell me pak shkurtime:
“Shtator 1990
HIJA E PRANGAVE
Sot në gazetën “Bashkimi” doli një shkrim i Saliut për problemet e demokratizimit. Ia botoi Qemali (Sakajeva). Trajton edhe çështjen kombëtare, në kënd të ri. Argumenton se demokratizimi i Shqipërisë është vendimtar edhe për Kosovën. Duhet të jetë lexuar shumë. Për më tepër e hënë, të hënave në Tiranë s’ka shtyp, përveç “Bashkimit”.
Kah ora dhjetë zbrita me Rakon për kafe në bufenë e komitetit të partisë. Krye në krye, rreth filxhanëve të kafes, të gjithë po flisnin për atë shkrim.
Zumë vend në tavolinën e skajit, ngjitur me dritaren.
- E kishe lexuar para se të botohej?, pyeti Rakoja pa kuptim, sa me hy në temë. Donte me diskutue rreth ideve të parashtruara nga Berisha.
Pa i kthyer përgjigje, dëgjoj prapa shpatullave dikë, që çoi zërin fort:
- Atij i duhen vënë hekurat!
Të tjerët rreth tij nuk bëzanë. Për një imtë ra heshtje. Bufeja është e vogël.
Qe kryetari i degës së punëve të brendshme, që shqiptoi këtë fjali. Po pinte kafe me njërin nga sekretarët.
- Prangat i ka për Doktorin, tha Rakua. E çoi zërin qëllimisht, me dëgjue ti.
- E çoi, por do ta ulë, i thashë.
Jam kryqëzuar disa herë me këtë farë kryetari, vjen te sekretari i parë. Nuk më flet dhe nuk i flas. Më saktë, nuk më duron dhe nuk e duroj.
Dikush ngjitur me ne shau kafen. Nuk e paske bërë gjë sot, i tha bufetieres.
Ajo vetëm çoi sytë e zinj dhe nuk u përgjigj. Është vajzë e re, e bukur”.
3.
Projektin e “hekurave”, që u mbeti pezull etërve, e kanë rimarrë bijtë “rilindas” me Edi Ramën. Dje ia hoqën imunitetin Berishës. Pa një akuzë konkrete, pa një fakt me vlerë juridike.
Në CV-në e Berishës po plotësohet rrethi i dhunës zyrtare. I ka të gjitha: grushtin, bombat, tankset, tashti edhe “hekurat”.
Berisha është politikan jashtë serisë. Në një betejë edhe mund ta mundësh, por nuk mund ta mposhtësh kurrë.
Ai çohet më i fuqishëm bash kur nuk e pret.
“Rilindasit” nuk dijnë të lexojnë (historinë) as sa etërit!