Në vazhdën e zbardhjes me dokumente të çështjes së Kompleksit Sportiv Partizani dhe të manipulimit që po i bëjnë Kryeministri dhe SPAK, Kryetari i PD, Sali Berisha, kaloi sot gjatë konferencës për shtyp tek ajo që e quajti "skandali i tyre i madh, ndërrimi i destinacionit."
"Cilido që njeh doktrinën e qeverisjes vendore, e territorit dhe urbanistikës, - tha Berisha, - e ka të qartë se këto të gjitha janë kompetenca dhe atribute strikt të qeverisjes vendore. Janë strikt të qeverisjes vendore.
Nuk mundet kurrë qeveria të marrë një pronë nga bashkia dhe t’i ndryshojë destinacionin ose ta përdorë për qëllimet që ajo do. Është bashkia që vendos për fatin e pronave në territorin e saj.
Në këtë kontekst, Edi Rama, ndonëse kjo pronë ishte e regjistruar në regjistrat e ushtrisë, ai vendos në kohën kur nuk iu ishte kthyer pronarëve akoma, vendos ndryshimin e destinacionit, një pjese të saj, nga sportive në urbane, në zonë ndërtimesh.
Edi Rama këtë vendim e merr me datën 8 qershor të vitit 2006. Mundësia ose pamundësia e qeverisë për të ndërhyrë në planet e qeverisë lokale dëshmohet nga fakti se kur unë bëra një ndërhyrje për efekte të sigurisë së jetës së qytetarëve te ai bërdungull që po ndërtonte te Zogu i Zi, unë nuk kisha hapësirë ligjore dhe u detyrova të krijoj hapësirën ligjore. Hartova dhe firmosa një akt normativ, i cili lejonte qeverinë qendrore të ndërhynte në projektet e qeverisë vendore.
Edi Rama shfrytëzoi të gjitha lidhjet, solli këtu presidentin e Kongresit të Autoriteteve Europiane Lokale dhe Rajonale. Ky zotëria, që ishte një majtist i pakorrigjueshëm, lëshon një deklaratë në mbështetje totale të Edi Ramës dhe i kërkon Gjykatës Kushtetuese të marrë pozicion.
Gjykata Kushtetuese, çfarë bëri? Së pari, shfrytëzoi një defekt burokratik të aktit normativ, i cili ishte vonuar në miratim dhe e shpalli me datën 10 nëntor të pavlefshëm. Në këtë mënyrë unë humba çdo bazë ligjore për të ndërhyrë në planet e Bashkisë së Tiranës.
Të dekretoja për së dyti, ajo nuk bënte. Unë bëja një karshëllik ndaj një institucioni që e kam pasur ëndërr të anëtarësohemi.
Ndaj dhe unë firmosa jo një ndryshim, por në këtë mbledhje janë bërë tre ndryshime destinacioni. Dhe gjatë vitit 2006, në total janë bërë 10 ndryshime destinacioni. Unë nuk kisha më forcë dhe as pushtet t’i ndërhyja atij dhe çdo akt konsiderohej shpërdorim detyre nga ana ime.
20 ditë më vonë, dmth nga firma që bëra pasi më hoqën dekretin, Gjykata Kushtetuese i hoqi çdo të drejtë, askush nuk mund të ndërhynte përveç gjykatës në vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës.
Kanë fshehur skapistët kontratën e familjes Begeja me kompaninë ndërtuese në vitin 2007, ku parashikohej se cilido nga familjarët e kësaj familje, mund të hynte në bashkëinvestim deri në 25 përqind.
Kush ka dashtë, Jamarbër Malltezi ka dashur, të tjerë nuk kanë dashur. Kanë shitur pronën, kanë preferuar forma të tjera përfitimi prej saj.
Një gjë është e sigurt, në atë kohë vendndodhja nuk ishte kaq elitare dhe e dyta aty kishte 42 ndërtime pushtuese banorësh, ishte shndërruar në një fshat të themi me 42 ndërtime të paligjshme. Kështu që të tjerët nuk preferuan të bëhen bashkëinvestitorë. Por kanë pasur marrëveshjen, kanë pasur të hapur dyert cilido që ka dashur."