Gjatë ditës së sotme, Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar 4 kamionë të tonazhit të rëndë në Fier, të cilët kanë kaluar kontrabandë në doganën e Kakavijës.
Pas verifikimeve janë arrestuar dhe shpallur në kërkim disa doganierë dhe punonjës të tjerë të doganës së Kakavijës.
Por nuk ka asnjë hetim, ose procedim për policinë e Qarkut Gjirokastër.
Sipas burimeve të Syrit kjo linjë kontrabande me vlerë të madhe kishte muaj që ndodhte dhe bëhej falë një pakti mes drejtuesve të doganës së Kakavijës dhe policisë së Qarkut Gjirokastër, e cila drejtohet nga Ardian Çipa.
Informacioni i mbërritur në redaksinë e Syrit bën me dije së edhe fakti që kamionët e tonazhit të rëndë, jo rastësisht kanë kaluar nëpër gjithë territorin e Qarkut Gjirokastër qetësisht dhe pa u shqetësuar nga pikat e kontrollit të policisë së këtij qarku, të cilat janë të shumta përgjatë gjithë aksit, Kakavijë – Gjirokastër.
Kamionët kontrabandë jan kapur nga policia e një qarku tjetër, ajo e Fierit, pasi siç duket “pakti” i kontrabandës ka qenë i mbyllur brenda qarkut mes policisë dhe doganierëve.
Më poshtë njoftimi i policisë për akosionin e sotëm:
Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë operative, përgjatë aksit rrugor Kakavijë - Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.
Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore";
- A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë;
- E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë;
- U bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabandë me mallra të tjera", i shtetasve (drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara);
- V.D., 40 vjeç;
- TH.M., 48 vjeç;
- R.I., 41 vjeç;
- A.XH., 45 vjeç;
- A.M., 50 vjeç;
- F.O., 39 vjeç;
- U procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore procedurale, për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.