Nesho: Xhokeri i Samiteve

E Enjte, 25 Janar 2024 19:40

Nga Agim Nesho:

Të jesh në qendër të vëmendjes për zgjidhjen e problemeve vjen ose nga aftësia e madhe qeverisëse ose nga karakteri klientelist i një yesman-i, i cili vetëofrohet për të shërbyer. Kështu ka ndodhur edhe me Edi Ramën, i cili në disa muaj ka organizuar dhe po organizon samite ndërkombëtare, ku ai përpiqet të monopolizojë idenë se ai është një element i domosdoshëm i lojës politike me aktorët ndërkombëtarë. Duke qenëi tillë, ai ështëi nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm.

Por çfarë prodhuan samitet dhe çfarë ka fituar Shqipëria prej tyre? Samiti i Procesit të Berlinit,i zhvilluar në Tiranë në tetor 2023,i dha Shqipërisë një shans për të qenë një aktor primar i rajonit në çështjet e integrimit Europian. Kjo zgjidhje vinte dhe si një nevojë për të larguar Shqipërinë dhe Edi Ramën nga protagonizmi i tij në projekte të tjera paralele në Ballkan, si iniciativa ‘Ballkani i Hapur’, projekte të cilat në prapaskenë i shërbejnë influencave të Rusisë dhe zgjerimit të dominimit serb në rajon. Në këtë samit, Brukseli riktheu Procesin e Berlinit në shina, ndërsa Edi Rama bëri një paradë të sukseseve të tij, prodhoi një film 8 minutash ku në qendër kishte veten e tij, pikturoi pjata dhe u kthye në kuzhinier të liderëve europianë. Në pamundësi që administrata e tij të përgatisë projekte nga paaftësia, të thithë investime për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, Rama u fokusua në zhvillimin urban dhe kapacitetet e turizmit. U servir zhvillimi por u fsheh realiteti shqiptar i varfërisë, kushteve të ulëta të jetesës, droga e kanabisi, pastrimi i parave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar.

Në qoftë se Shqipëria nga propaganda e kryeministrit të saj tërhoqi vëmendjen europiane, Rama avancoi projektet e tij të perfeksionimit të regjimit të tij putinesk për të goditur opozitën, kontrolluar drejtësinë, kapur shtetin dhe avancuar projektet e tij korruptive. Opozitës i hiqet e drejta për komisione parlamentare dhe lideri i opozitës vihet në arrest shtëpie.

 
 

I etur për të qenë në qendër të vëmendjes dhe i rrethuar nga lobistë që kushtojnë miliona dollarë, ai vazhdon iniciativat personale për asociacion në Kosovë, zgjidhjen e konfliktit Izrael-Hamas nga Franca apo të marrë rolin e avokatit të Vuçiç për sanksionet ndaj Rusisë.

Samiti i dytë, ai i Shkupit, kishte si qëllim vazhdimin e projektit të Ballkanit të Hapur, me kujdesin e madh për të qenë afër Vuçiç, por me një propagandë ku dominon perspektiva europiane. Qëllimi i autokratëve ballkanikë Rama-Vucic është nevoja për të shpëtuar iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe për ta përdorur atë në kushtet e një ndryshimi të madh politik në botë sidomos nga zgjedhjet në Europë dhe në SHBA. Në qoftë se Rama vërtetë besonte se Ballkani i Hapur e kishte përfunduar misionin, ai duhej të anulonte ato iniciativa të tij, të cilat ishin kthyer në ligje apo vendime qeverie. Ai luan me deklaratat, por në thelb ai ruan interesat e tij për të qenë pjesë e çdo projekti, qoftë ky edhe jashtë interesave të BE-së, vetëm për të siguruar pushtetin e tij. Prandaj në Samitin e Shkupit u nënshkruan dy protokolle për Ballkanin e Hapur. Ramës në thelb nuk i intereson Europa sepse vlerat e saj bien ndesh me grykësinë e tij të shfrenuar për të kapur çdo gjë me korrupsion. Me protagonizmin e tij ai do të neutralizojë Europën demokratike për ti treguar asaj se pragmatizmi dhe stabilokracia janë mjetet e nevojshme për të mbajtur ‘unitetin’ e perëndimit në një kohë ndryshimesh gjeopolitike. Ai bën aktorin, ndërsa perëndimi luan të paditurin duke kërkuar kohë për të vepruar.

Përkrahja e liderëve të tillë klientelistë tregon në një mënyrë dobësinë e perëndimit në mbrojtje të sistemit të saj ndërkombëtar, të bazuar në institucione. Këto figura na kujtojnë diktatorët e kohës së Luftës së Ftohtë, të cilët toleroheshin për arsye të balancave midis kampeve kundërshtare. Diktatorët e djeshëm dhe autokratët e sotëm kanë vetëm një devizë: më lini të ushtroj pushtetin tim të pakufizuar në shtetin tim për t’ju shërbyer juve për çfarë keni nevojë. Ajo që harrohet ose neglizhohet nga ndërkombëtarët për pragmatizmin e momentit është fakti se këta autokratë kur promovohen dhe përkëdhelen si xhoker të shërbimeve, kur fuqizohen bëhen të pakontrollueshëm. Sistemi i kontrollit është shteti demokratik, pluralizmi dhe sundimi i ligjit, të cilat fatkeqësisht sot në Ballkan po bëhen jo funksionale. Prandaj klientelistët e sotëm kanë kurajën të kritikojnë sot Brukselin për gabimet e tij, për të avancuar projektet e tyre kundër interesave perëndimore. Nesër ata do të godasin edhe themelet e sistemit perëndimor për të justifikuar korrupsionin e tyre dhe kthyer sytë nga Lindja autokrate.

Shqipëria sot është në udhëkryqin e saj kur nga dita në ditë po shket në autokraci të plotë. Shqipëria sot është shpopulluar nga një projekt për ta lënë atë një tokë të djerrë, të qetë për sundimin e autokratit. Në qoftë se ata që i kemi idealizuar,kemi mësuar dhe vepruar me këshillat e tyre nuk e ndihmojnë sot demokracinë Shqiptare,nesër do të mbartin pendesën e fajit për një popull që ëndërronte demokracinë dhe u bë pre’ e një diktature të re.

Kur interesat e ngushta,banale dhe të fshehta mbështesin xhokerin, ajo që do mbetet në të ardhmen është hija e një karikature që u mbështet dhe ndriçua nga drita e samiteve apo në përkrahjen pa rezerva kundër interesave të popullit.

Login to post comments