Kryeministri Edi Rama premtoi se ndotja e Vlorës nga tymi i mbeturinave do të zgjidhet brenda pranverës së këtij viti. Por ky premtim mund të mbetet sërish në letër, pasi kompania sipërmarrëse e landfillit të ri të Sherishtës nuk ka aftësi financiare
SYRI TV
Kompania “Integrated Technology Service” e biznesmenit në kërkim, Klodian Zoto, dhe që aktualisht menaxhohet nga administrator shtetëror, është vendosur sërish nën sekuestro për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj palëve të treta.
Në korrik të vitit 2023, Gjykata e Vlorës lëshoi urdhrin e ekzekutimit, në bazë të të cilit detyronte kompaninë e plehrave që të shlyente rreth 100 mijë euro detyrime ndaj një kompanie që kishte për objekt shitje biletash avioni dhe hoteleri. Këto detyrime ishin krijuar deri në vitin 2021.
Kompania “ITS” ka arritur të shlyejë vetëm gjysmën e këtij detyrimi. Për këtë arsye, një zyrë përmbarimi privat ka urdhëruar Qendrën Kombëtare të Biznesit që të bllokojë aktivitetin ekonomik të shoqërisë.
Ndërkohë, mbi “Integrated Technology Service” janë në fuqi edhe dy masa sekuestrimi për shkak të borxheve, të vendosura nga zyrat përmbarimore në tetor dhe nëntor 2023.
“Integrated Technology Service” fitoi një tender sekret në vitin 2020, me vlerë 20 milionë euro për ndërtimin e fushës së mbetjeve në periferi të Vlorës. Kontrata parashikonte që punimet të mbylleshin brenda vitit 2021.
Por, kur kanë kaluar mbi dy vjet nga përfundimi i këtij afati, landfilli ende nuk është gati. Mbeturinat e Vlorës vijojnë të depozitohen në landfillin e vjetër, ku herë pas here marrin flakë dhe mbushin qytetin me tym toksik.
Prej vitit 2021, shoqëria “Integrated Technology Service” menaxhohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara, në vijim të hetimeve për përfshirjen e Zotos në aferën e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.