Në fjalën e tij në tubimin qytetar, tek banesa e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha e cilësoi si një provokacion të rëndë, përjashtimin e 19 deputetëve të opozitës nga parlamenti.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, mirënjohje të pakufishme për praninë tuaj sonte në Rrugën e Shpresës.
Për praninë tuaj sonte me një sakrificë të përnatshme, por në një mision të madh, në një mision shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Të dashur miq, sot dua të përshëndes gjithashtu oratorët, të cilët sonte dhe çdo natë, shndërrojnë këtë platformë, këtë tribunë në tribunë të fjalës së lirë, në tribunë të parlamentit të qytetarëve, në një tribunë e cila çdo natë e më shumë tmerron narkodiktaturën.
Sot, parlamenti Rama-Linda, parlamenti i turpit që nuk ka ekzistuar kurrë që nga koha e diktaturës, përjashtoi në një akt turpi, në një akt të mirëfilltë diktatorial, në një akt të vërtetë frike, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar, përfaqësues tuaj, vetëm e vetëm se ata po qëndrojnë siç po qëndroni ju këtu në emër të të vërtetës.
Po qëndrojnë në një betejë me të cilën duan të sjellin para jush në dritën e diellit, të gjitha krimet e shëmtuara, vjedhjet monstruoze të Edi Ramës.
Po qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese, që janë edhe të drejtat tuaja.
Sot, Linda e parlamentit, një turp i gatshëm për të shkatërruar Shqipërinë për Edi Ramën, zbatoi urdhrin e padronit të saj Edi Rama dhe përjashtoi njësoj si të ishte Bjellorusia e Lukashenkos, edhe aty nuk ndodh kjo, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar.
Ky është një akt, një provokacion i rëndë për çdo qytetar që i beson pluralizmit.
Atyre që rëndom në mënyrë të neveritshme shtrojnë pyetjet se përse po bëjnë këtë në parlament, u them këtyre mjeranëve se një deputet në SHBA mund të bllokojë pa u përjashtuar ditë të tëra parlamentin.
Ajo që po bëjnë deputetët në parlament është kjo që po bëni ju këtu, po mbroni të vërtetat, po shprehni të vërtetat.