'Der Standard’: Pakti Rama-Meloni do shkojë në Strasburg, në Shqipëri do ngrihen burgje për emigrantët

E mërkurë, 31 Janar 2024 13:13

Gazeta e njohur austriake, ‘Der Standard’ shkruan sot se pakti mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave për emigrantët mund të përfundojë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri i ka hapur dritën jeshile këtij pakti, gazeta shkruan se në marrëveshje praktikisht kërkohet ngritja e burgjeve për emigrantët. 

 

“Kritikët kanë ngritur gjithashtu vazhdimisht pretendimin e një përplasje të mundshme me të drejtat e njeriut. Kufizimi ose privimi i lirisë së emigrantëve, që nuk kanë kryer asgjë dhe që nuk janë në paraburgim në pritje të dëbimit, është shkelje e të drejtave të njeriut. Ky është pikërisht lloji i privimit të lirisë që parashikohet në marrëveshje.

Në pikën pesë të nenit 6 të marrëveshjes mes Melonit dhe Ramës, thuhet: “Autoritetet kompetente italiane do të marrin masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e emigrantëve në zona dhe për të mos u dhënë atyre akses të paautorizuar në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë, si gjatë procedurës administrative, ashtu edhe në fund, cilido që të jetë rezultati”.

Me një gjuhë të thjeshtë, kjo do të thotë: Emigrantët janë të mbyllur në kampe dhe nuk lejohen të dalin as për të blerë. Për këtë çështje, kritikët e marrëveshjes mund të mbështeten ende te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut”, shkruan gazeta.

Login to post comments