Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PL, kreu i saj, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria është kthyer në një narkoshtet ku liritë dhe të drejtat e njeriut i ka rrëmbyer mafia në pushtet.
Pjesë nga fjala e Metës:
- Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet;
- Ku sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit;
-Ku llogaridhënia është asgjësuar;
- Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime;
- Ku Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen;
- Ku drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.
Dhe natyrisht që ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit.
Sipas INSTAT, nga viti 2011 deri në vitin 2021 mesatarisht 41 mijë qytetarë kanë emigruar çdo vit.
Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike.
Ndaj edhe të dhënat e Censusit se sa shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri po mbahen sekret.
Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë.
Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve