Banorë të fshatrave të Krujës që preken nga projekti i rrugë Thumanë-Kashar kanë protestuar sot duke kërkuar të bëhet publik projekti i rrugës e madje të ngrihet komision hetimor për projektin jotransparent.
“Nuk mund të bllokohet kjo rrugë se kjo quhet autostrada Thumanë – Kashar dhe të të mos lihet dalje për këto biznese që kanë investuar djersën e tyre për 30 vjet. Arroganca e qeverisë dhe e këtyre oligarkëve ka arritur në kufij.
Nuk mund të lihet ky popull pa i dhënë një shpjegim se si do të procedohet në këtë rrugë. Kështu që i bëj thirrje të gjithë banorëve, fermerëve dhe bizneseve se ne do të jemi mbështetje. Protestat të përshkallëzohen jo vetëm këtu tek rrethrrotullimi i Thumanës, por në të gjithë fshatrat e kësaj zone deri në Rinas.
Ndërsa kryetari i degës së PD në Krujë, tha: “Siç e shikoni, ky segment rrugor Thumanë-Kashar ka bllokuar me qindra banorë për vetëm një hyrje dalje që kërkojnë banorët. Një hyrje-dalje që është shumë e drejtë për banorët. Të izolohen banorët e Thumanës, të Fushë Krujës, të Krujës, të Niklës, Bubqit, të gjithë zonat, kjo është e padrejtë.
I bëjmë thirrje kryeministrit Edi Rama të marrë masa dhe të hapë rrugën e banorëve, se nuk po i kërkojnë punësim. Ky jo vetëm që s’afron punësim, por po ua mbyll të gjitha bizneset, po e izolon të gjithë zonën.
Protestuesit janë qendrestarë dhe do të jenë deri në zgjidhjen e problemit. Ne si PD do të jemi në mbështetje sa herë të na kërkojnë banorët e kësaj zone.”