Në fjalën e tij Meta u ndal dhe te protesta e fermerëve të Pirgut dhe Maliqit për të cilën shprehu mbështetjen e forcës politike që ai përfaqëson.
Meta theksoi se nisma e Ballkanit të Hapur shkatërroi prodhimin vendas duke i hapur të gjitha rrugët prodimit të huaj dhe duke hequr mbështetjen për fermerët shqiptarë.
“Mbështetje protestës së fermerëve të Pirgut dhe Maliqit. U bë e disata herë, i disati vit që prodhimet e tyre, që mollët e tyre, qepët, patatet e tyre nuk dalin në treg dhe djersa e tyre shkon dëm. Sepse kjo ishte loja e Ballkanit të Hapur. Ballkanit të hapur I dështoi qëllimi për të dëmtuar Kosovën, por Ballkani i hapur pati sukses të madh për të shkatërruar prodhimin tonë vendas, sepse u shqyen të gjitha dyert për prodhimet e importeve, u hoq çdo mbështetje për fermerin tonë. Mbështetja për fermerët dhe prodhuesit në Serbi dhe Maqedoni shumë herë më e madhe, ndërsa në Shqipëri fermerët përballen me persekutime. Fermerët ngarkohen me tatim 20% që në shitje, që është më i larti në rajon dhe më i larti në Europë, ndaj prodhimet e importit e kanë fituar garën që pa nisur. Qeveria nuk ka vullnet për të rritur tarifat doganore për produktet e importit, siç e lejon dhe marrëveshja për tregtinë e lirë, sepse kjo është një qeveri që nuk ka interes të mbështes prodhuesit dhe prodhimin. Kjo është një qeveri që u shërben oligarkëve dhe importuesve”, deklaroi kreu i PL.
Molla e Korçës ka mbetur stok dhe kjo ka detyruar fermerët të dalin në protestë mëngjesin e kësaj të shtune.
Dhjetëra fermerë janë mbledhur në kryqëzimin e fshatit Zvirinë në aksin nacional Korçë-Pogradec. Fermerët e fshatit Zvirinë thonë se molla e tyre ka mbetur pa shitur për shkak të hyrjes së mollës nga importi.
Sipas grumbulluesve të molles, dy janë faktorët, çmimi i lartë kur ky frut u mblodh dhe hyrja e mollës nga importi, kryesisht nga Serbia, ndërsa qeveria duhet të reagojë urgjentisht për të mbrojtur prodhimin vendas.