Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, deklaroi se kjo protestë është thirrje për çdo socialist që dëgjoi se si Rama e kërcënonte Ahmetajn njëlloj si Enver Hoxha armiqtë e tij.
Berisha u ka bërë ftesë atyre që ti bashkohen kësaj proteste.
‘Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë’, tha kreu i PD-së.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë, misionarë të pamposhtur të dinjitetit njerëzor, të shpresës, luftëtarë kundër një diktature që po gërryen çdo ditë qenien shqiptare.
Ju përshëndes dhe përulem me nderimin më të madh para jush sepse ju shndërruat këtë rrugë, ju shndërruat protestën tuaj në simbolin më të fuqishëm të qëndresës së njeriut, të qëndresës së shqiptarit atdhetar, të qëndresës së shqiptarit guximtar, të qëndresës së shqiptarit për liri dhe dinjitet.
Me këtë protestë, ju të pamposhtur jeni shndërruar në simbolin më frymëzues për mbarë demokratët shqiptarë.
Ju frymëzoni sot çdo demokrate, çdo demokrat, të bashkohet me ju në betejë, të bashkohet me ju në betejë pa kthim si rruga e vetme e rikthimit të votës së lirë, e rikthimit të pluralizmit në Shqipëri.
Si rruga e vetme për përmbysjen e diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.
Miqtë e mi, kur ju them rruga e vetme, kam parasysh rruga e fitores, rruga e nderit, rruga e guximit, sepse natyrisht ka edhe rrugë të tjera. Ka edhe indiferencë, me të cilën s’bëhet asgjë tjetër vetëm mbështetet diktatura. Ka edhe lajka ndaj regjimit, ka edhe sulme ndaj jush.
Po këto janë një faqe e zezë në historinë e Shqipërisë. Këto përkundrazi vetëm sa bëjnë të shndrisë gjithnjë e më shumë qëndresa juaj, protesta juaj.
Ndaj dhe sonte përsëri ftoj demokratët kudo që janë të bashkohen me ju në këtë mision të madh, të bashkohen me ju në këtë betejë historike për shpëtimin e Shqipërisë. Të sigurt se fitorja është fati ynë, destinacioni ynë.
Protesta juaj, fjalët tuaja më përfaqësuese se askund tjetër nga kjo tribunë, me dhjetëra e dhjetëra drejtues dhe anëtarë të PD, por edhe qytetarë, mbështetës së saj, intelektualë të shquar, mjekë, artistë, inxhinierë, të rinj, vajza, nëna, motra, kanë ngritur zërin, kanë denoncuar më shumë se nga çdo platformë tjetër në 30 vite.
Kjo protestë është frymëzim për çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë, pa parti, të bindjeve të ndryshme, por që beson se Shqipëria është dheu i tij, dheu i dashur i tij. Se Shqipëria është dhe i bekuar dhe jo tokë e mallkuar siç e ka shndërruar Edi Rama.
Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Kjo është ora e bashkimit, e bashkimit të shqiptarëve rreth idealeve të tyre patriotike.
Por protesta juaj është frymëzim dhe shpresë për të gjithë ata socialistë, të cilët binden se Rilindja ishte përbindëshi që shkatërroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe idealet e tyre, edhe partinë e tyre.
Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.
Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij.
Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij.
Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju.