Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen në mbrojtje të Skavicës dhe Dibrës.
‘Dibra u vendos të varroset me firmën korruptive të Edi Ramës dhe kjo nuk pranohet kurrë’, tha Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet prej 37 ditësh poshtë banesës së tij.
Berisha: Të dashur miq, Skavica në rast se lejojmë varroset vetëm nga korrupsioni.
Kam kundërshtuar që në fillim ndërtimin e saj nga Bechtel, një kompani gjigante amerikane, për të cilën kam respektin më të madh.
Ndërtoi Rrugën e Kombit, por Rrugën e Kombit e mori me një tender ndërkombëtar të shpallur në Londër, në të cilin morën pjesë 5 gjigantë ndërtimi në Europë.
E vlerësoi një juri ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë ankesë. Kurse Skavica u dha pa garë.
Dibra u vendos të varroset me firmën korruptive të Edi Ramës dhe kjo nuk pranohet kurrë.
Cilido që njeh atë luginë, nuk mund të imagjinojë që dora e njeriut, që firma e një qeveritari, që vendimi i një gjykatëse, të jetë për varrosjen e saj.
Ajo është një nga luginat më pjellore të tokës shqiptare.
Ajo zonë është djepi i historisë dhe qëndresës kombëtare. Është zona e fushëbetejave më të shumta të Skënderbeut. Është zona e fushëbetejave më të mëdha kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë. Është zona e qëndresës së pamposhtur e burrave që u varrosën të gjallë kundër komunizmit.
Ndaj dhe ftoj dibranët dhe dibranet, ftoj komunitetin dibran në Tiranë, dibranët në mbarë botën, ftoj shqiptarët të mbrojmë Skavicën për të mbrojtur historinë, për të mbrojtur të sotmen, për të mbrojtur Dibrën, për të mbrojtur të ardhmen e saj.