Kryetari i Partisë së Lirisë Ilri Meta ka deklaruar se qëllimi i qeverisë është shkatërrimi i bujqësisë, blegtorisë dhe prodhimit vendas.
Në një postim në rrjetet sociale ai u shpreh se PL do të japë një grant prej 10 mijë Eurosh për çdo fermer, i cili dëshiron të zhvillojë një fermë në fushën e blegtorisë dhe do t’i lehtësojmë nga taksat për 5 vitet e para.
Postimi i plotë:
Si mund të ndalet shpopullimi kur këtu është i qëllimshëm shkatërrimi i bujqësisë, shkatërrimi i blegtorisë, shkatërrimi i prodhimit vendas? Kanë vënë edhe një kriter tani, thonë duhet të kesh mbi 10 lopë që të përfitosh një subvencion nga ana e qeverisë. Por mbi 70% e gjithë atyre fermerëve që merren me këtë aktivitet nuk kanë më shumë se 10 lopë, sepse nuk kanë mundësi, sepse nuk i mbështet kush. Edhe ata që kanë më shumë se 10, marrin 98 euro për kokë subvencion. Por a e dini ju se sa merr një fermer në Bashkimin Europian për një lopë? 900 Euro. Do thoni ju BE-ja? Ja këtu kemi Serbinë, 358 Euro për një lopë, përveç subvencionit që merr edhe për çdo litër qumësht.
Ne do të japim një grant prej 10 mijë Eurosh për çdo fermer, i cili dëshiron të zhvillojë një fermë në fushën e blegtorisë dhe do t’i lehtësojmë nga taksat për 5 vitet e para.