Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, vazhdoi edhe sot denoncimet që lidhen me skandalin e inceneratorit të Tiranës.
Këlliçi tha se Taulant Balla ka emëruar në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinant Tarazhin.
Tarazhi është një ish-Drejtor në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar në SPAK në vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me procedurat tenderuese për rikonstruksionet e komisariateve.
Këlliçi tha se ai ka qenë i punësuar edhe tek inceneratori i Tiranës.
“Ky është një rast i paprecedent karshillëku dhe tallje ndaj organeve të reja të drejtësisë, i cili fakton përtej çdo dyshimi bashkëpunimin e ngushtë SPAK – VELIAJ. Përsa kohë SPAK nuk vepron mbi pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, nuk ka më asnjë dyshim se drejtësia e re, ka lindur e vdekur” tha Këlliçi.
DEKLARATA E PLOTË
Të nderuar qytetarë,
Jam në këtë komunikim me ju për t’ju bëre me dije se ditën e sotme Taulant Balla ka emëruar në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinant Tarazhin.
Tarazhi është një ish-Drejtor në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar në SPAK në vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me procedurat tenderuese për rikonstruksionet e komisariateve.
Hetim të cilit nuk i dihet akoma fati.
Deri këtu në fakt nuk ka asgjë e re për standardin e Rilindjes.
Në qershor të vitit 2023, ky personazh punësohet si Drejtor i Shërbimeve Operacionale në landfillin e Sharrës nga Integrated Energy BV SPV, si njeriu i besuar i baxhanakut të Mirel Mërtirit, Mark Jaka për të vazhduar biznesin fitimprurës të dherave.
Biznes i cili ka gjeneruar dhjetëra miliona euro të cilat dhe sot fshihen kesh siç thotë SPAK, ose metra katrorë ndërtim të shpërndara në të gjithë kullat e Tiranës, të cilat sigurisht kjo strukturë refuzon t’i shohë.
Ky veprim fakton fare qartë se Erion Veliaj nuk ka ndërmend të heq dorë nga biznesi i tij duke i bërë karshillëk strukturës speciale, e cila tashmë të gjitha informacionet se çfarë ndodh në atë vend krimi do i marrë nga pronari faktik, emrin e të cilit SPAK nuk guxon ta përmendë, e jo më ta hetojë.
Erion Veliaj, Pronari faktik i Inceneratorit të Tiranës, pohuar ky fakt dhe nga ish Zv. Kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën e tij, pasi miratoi 12 milionë euro në Buxhet për këtë biznes, sot emëron të besuarin e tij, në mënyrë që të sigurojë transferimin e parave i pashqetësuar.
Ky veprim skandaloz duhet të ngre në këmbë menjëherë Altin Dumanin dhe strukturën e përgjumur të SPAK, pasi me bekimin e tyre po vazhdojnë të vidhen qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.
U bë tashmë 6 muaj që çdo ditë nga kjo foltore, denoncoj me fakte të pakontestueshme dhe dokumente autentike përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë sipërmarrje korruptive të kryetarit të Bashkisë Tiranë, i cili si pronar faktik tashmë vijon të garantojë jo vetëm pagesat e plota, por dhe administrimin shtetëror të biznesit të tij.
Ky është një rast i paprecedent karshillëku dhe tallje ndaj organeve të reja të drejtësisë, i cili fakton përtej çdo dyshimi bashkëpunimin e ngushtë SPAK – VELIAJ.
Përsa kohë SPAK nuk vepron mbi pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, nuk ka më asnjë dyshim se drejtësia e re, ka lindur e vdekur.
Le të jetë kjo një arsye më shumë për të gjithë kryeqytetasit, që më datën 20 shkurt, të derdhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për t’i dhënë fund regjimit më korruptiv që ka njohur Europa këto 3 dekadat e fundit.
O sot o kurrë!