Berisha: Ylli ynë polar është interesi kombëtar. Koha i provoi të drejta të gjitha qëndrimet tona

Tuesday, 13 February 2024 11:33

Në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se ‘ne jemi parti e interesit kombëtar. Më 22 dhjetor të vitit 1990, ne deklaruam përpara shqiptarëve dhe botës se ylli ynë polar do të ishte interesi kombëtar’.

Berisha theksoi gjatë fjalës së tij, se koha i dha të drejtë PD-së.

 

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju garantoj se në mendjen time, në zemrën time, ju jeni heronjtë e vërtetë të Sali Berishës, heronjtë e vërtetë të Shqipërisë.

Unë e di se ju punoni për misionin tuaj të madh, por guximi dhe përkushtimi juaj ndaj këtij misioni, ju kanë bërë ju para demokratëve dhe shqiptarëve, heronj të vërtetë të kësaj kohe.

Nga buron ky shpirt i pamposhtur? Cila është formula magjike e PD që ka fuqinë për të qëndruar në kohët më të vështira dhe për të përballur sulmet më të egra?

Përgjigjja për këtë është e thjeshtë. Përgjigjja për këtë gjendet në vetë misionin e PD. Arsyeja pse jemi krijuar.

Ne jemi parti e interesit kombëtar. Më 22 dhjetor të vitit 1990, ne deklaruam përpara shqiptarëve dhe botës se ylli ynë polar do të ishte interesi kombëtar.

Për ne, interesi kombëtar është i pari dhe sot interesi kombëtar i Shqipërisë është vetëm një, e ardhmja demokratike dhe evropiane e saj. Do e bëjmë Shqipërinë si Europa, kjo është mbi çdo kauzë për ne.

Prandaj dhe ne realizojmë të pamundurën, prandaj ne jemi parti e shpresës, prandaj ju jeni misionarë të shpresës. Prandaj ne jemi parti e ëndrrës, parti e fitoreve epokale!

Prandaj dolëm kundër të gjitha përpjekjeve antishqiptare të serbomadhisë, rusomadhisë, ndarjes së Kosovës, Ballkanit të Hapur, që njohën si promotor, argatin e Vuçiçit, Edi Ramën.

Prandaj ne denoncuam me guxim mbrojtjen që Edi Rama i bëri thirrjes nga Beogradi të sanksionet të NATO-s dhe BE-së për Rusinë.

Prandaj ne denoncuam luftën e Tiranës e megafon të Luftës së Ftohtë ndaj Prishtinës.

Koha provoi se në të gjitha këto qëndrime, ne kishim të drejtë. Ylli ynë polar është interesi kombëtar.

Prandaj dhe unë kam bindjen më të thellë se ditë të bardha po vijnë për Shqipërinë.

Login to post comments