Berisha: I themi sot Edi Ramës se ke marrë fund dhe asgjë nuk të shpëton dot nga verdikti i shqiptarëve

Tuesday, 13 February 2024 22:06

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka deklaruar se, Edi Rama ka marrë fund dhe asgjë nuk e shpëton atë nga verdikti i shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha: 

 

Parlament i vetëm i Shqipërisë është ky parlamenti juaj këtu, parlamenti i fjalës së lirë, parlamenti i shpresës.

Parlamenti duhet të jetë foltore e të vërtetës dhe të vërtetave, foltore e interesave qytetare dhe jo interesave të klaneve kriminale. 

Parlamenti nuk është pasarelë dhe nuk mund të jetë i tillë, për veshjet e shtrenjta të ministrave, të blera me paratë e vjedhura nga ju.

Parlamenti nuk është lokal bastesh ku ndahen kush familje qeveritare do fitojë më shumë nga vjedhjet.

Nuk është spital psikiatrik ku kryeministri dhe lakejtë e tij ngatërrojnë realitetin me fantazinë e sëmurë, psikozë kjo me pasoja të rënda për shqiptarët.

20 shkurti është dita e qytetarëve, qytetarët do të thonë fjalën e tyre.

Të dashur qytetarë, qeveria dhe parlamenti monist i Edi Ramës nuk duan t’ia dinë se ju ekzistoni, se ju keni halle, derte, keni vështirësi, dhimbje, sakrifica.

E dini pse? Sepse kanë kohë që nuk u takojnë. Sepse ata kanë frikë nga ju sepse e dinë se u kanë vjedhur dhe ju vjedhin ditën, natën, ju vjedhin deri në palcë.

Ata kanë kohë që nuk u dëgjojnë. Makinat e tyre luksoze vijnë në qytet, lagje, shtëpitë tuaja vetëm kur zgjedhjet afrohen. Këmbët e tyre kurrë nuk shkelin në rrugët që ju shkelni.

Trupi i tyre nuk kalon dhimbjet dhe lodhjet që kalon trupi juaj. Ata nuk mjekohen në spitalet ku ju mjekoheni.

Ata nuk hanë ushqimet e tyre që ju hani.

Kështjellat e tyre nuk krahasohen me shtëpitë tuaja.

Fëmijët e tyre nuk shkollohen në shkollat e fëmijëve të tyre.

Dyshekët e tyre janë të mbushura me para, ndryshe nga dyshekët tuaj.

Pasuria juaj është thërrime në krahasim me pasurinë e tyre, të vjedhur, të krimit, të drogës.

Por shpirti juaj, shpirti juaj nuk krahasohet kurrë me shpirtin e tyre të zi.

Ndaj ata kanë frikë, kanë tmerr dhe 20 shkurtin, ditën tuaj po e presin të lebetitur.

Kanë frikë të dalin dhe të takojnë dhe përballen me ju, sepse ata nuk janë përfaqësuesit tuaj, nuk janë përfaqësuesit e shqiptarëve, ata janë hajdutë, janë antishqiptarë.

Kjo qeveri është arsyeja pse ju po largoheni.

Kjo qeveri është arsyeja pse mjerimi ka kapluar në shumicë familjet shqiptare.

Kjo tufë kriminelësh është arsyeja pse parlamenti shqiptar është kthyer në bunker të familjeve qeveritare, që në ADN-në e tyre kanë censurën, vjedhjen, mashtrimin, internimin, mendësinë tiranike.

Por t’i themi sot Edi Ramës se ke marrë fund dhe asgjë nuk të shpëton ty nga verdikti i shqiptarëve.

20 shkurti po vjen!

Login to post comments