Duke përshëndetur qytetarët e mbledhur në tubimin poshtë banesës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se, nuk janë njëlloj demokratët me rilindasit e Edi Ramës.
Berisha tha se, demokratët kishin mik presidentin e SHBA, ndërsa Rama krenohet me McGonigalin.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Miqtë e mi!
Nuk jemi njëlloj. Ne kishim mik presidentin e SHBA.
Edi Rama krenohej me McGonigalin, shpallte mik McGonigalin.
Nuk jemi njëlloj sepse ne me reforma të thella anëtarësonim Shqipërinë në NATO, Edi Rama organizonte protesta me portretin e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit në NATO.
Nuk jemi njëlloj kurrën e kurrës, pasi PD u shndërrua në lokomotivë të vërtetë të proceseve integruese. Pro-europeizmi, pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar.
Për Edi Ramën, Rilindjen e tij këto janë thjesht gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet e tij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin, për të mbuluar mjerimin e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga Shqipëria.
Nuk jemi njëlloj se ne kurrë nuk menduam ndonjëherë dhe nuk pranuam që të kthenim monizmin në Shqipëri. Nuk pranuam ndonjëherë të lobonim për kontrollin e opozitës apo shkatërrimin e saj.
Përkundrazi, bëmë gjithçka të konsolidojmë vlerat e demokracisë. Ndërsa Edi Rama, duke kthyer votën në krim dhe krimin në votë, duke angazhuar paratë e krimit kundër opozitës, mohuar të drejtat kushtetuese në parlament të opozitës, arrestuar liderin e PD, bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.
20 shkurti është dita në të cilën tirani mori ndëshkimin, 20 shkurti është dita në të cilën Edi Rama duhet të marrë mësimin më të madh.
Europa pret me padurim fjalën tuaj, fjalën e qytetrarëve shqiptarë.
Miqtë e mi, nuk jemi njëlloj sepse Edi Rama dhe fara e tij e keqe e Rilndjes, duke vjedhur, largoi shqiptarët nga Shqipëria më shumë se gjithçka tjetër.
Kurse ne, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, bëmë gjithçka për të bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm. Dhe e vërteta është se u larguam nga pushteti në një kohë kur Shqipëria rritej nga viti në vit në popullatë.
Në një kohë kur qindra mijëra shqiptarë u kthyen nga emigracioni për të ndërtuar në Shqipëri folenë e të ardhmes së tyre.
Nuk jemi njëlloj sepse për ne, beteja me zero tolerancë ndaj krimit, ishte ligji i pandryshueshëm. Një nga një bandat u shpërbënë, bosët e tyre u përballën me ligjin.
Edi Rama, i lidhur me krimin, drogën, liroi vrasësit serialë nga burgu. I mblodhi ata ku janë e nuk janë, i shndërroi në investitorë strategjikë.
Dhe tani do t’i vërsulë si bisha kundër zonave të mbrojtura, pasurive përrallore të shqiptarëve.
Nuk jemi njëlloj sepse ne besojmë të liria, te dinjiteti njerëzor. Besojmë te vota. Te fjala e lirë.
Në Rilindje, vota nuk ekziston më. Aty ka vetëm një votë, ka vetëm një zë, ka vetëm një njeri dhe ky është padrinoja Edi Rama.