Ligji 'Për zonat e mbrojtura' do zbulojë oligarkët që 'hanë qofte me Ramën'

E Enjte, 22 February 2024 19:21
Boldnews.al
 

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për “Çim Peka live” pak javë më parë, deklaroi se “biznesmenë të ndryshëm hanin qofte me Edi Ramën në ballkonin e kryeministrisë dhe më pas shpalleshin investitor strategjik”. 

 

Ahmetaj tregoi atë që ka parë nga brenda mbi ngjizjen e investitorëve strategjike, shumë kohë përpara se publiku të njihej me vendimet e Edi Ramës për shpërndarjen e pronave publike, sidomos ato bregdetare, në duart e disa “klientëve të preferuar”.

Ligji “Për investimet strategjike” u shpall me qëllimin për të thithur investime të huaja serioze, por përfundoi tek një grusht biznesmenësh vendas, si edhe tek miq, shokë e madje deri tek gaztorë të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. 

Por, për Ramën, nuk mjaftoi vetëm ky ligj për të përmbushur etjen e oligarkisë për të gllabëruar prona publike e për t’i shndërruar në asete për përfitime të kompanive të tyre.

Këtë të enjte, maxhoranca parlamentare miratoi disa amendime në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, ku i hapet rruga betonizimit të parqeve dhe zonave më të vyera të natyrës shqiptare.

Ekspertë të mjedisit dhe grupe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar prej javësh e muajsh këtë iniciativë të “12 deputetëve socialist” dhe të përkrahur nga qeveria.

Opozita, në të të gjithë fraksionet e saj, gjithashtu e ka kundërshtuar projektin e Edi Ramës, të fshehur pas “12 deputetëve”, për shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe shndërrimin e tyre në resorte betoni për një grush biznesmenësh.

Bashkimi Europian, nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Tiranë, gjithashtu ka shprehur rezerva për këto amendime ligjore, të cilat cënojnë kriteret për avancimin e vendit drejt Unionit.

Por, asgjë nga këto nuk e ndal Ramën që të vijojë në projektet e tij shkatërruese. Ai nxori, ose më saktë keqpërdori, ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, për të mbrojtur idenë dhe votën e maxhorancës për të lejuar ndërtimet në zonat e mbrojtura.

Kumbaro dha disa argumenta, të cilat dukej që edhe vetë nuk i besonte.

Ajo u shpreh se ligji u jep të drejtë banorëve të zonave të mbrojtura për të sistemuar banesat e tyre, nëpërmjet lejeve, të cilat deri më tani ishin të ndaluara.

Kumbaro, në vrullin e mbrojtjes së një ligji shumë të dyshimtë, e tregoi edhe synimin real të qeverisë. “Pjesa më e madhe e Shqipërisë është zonë e mbrojtur dhe kjo pengon zhvillimin e eko-sistemeve dhe turizmit”, deklaroi Kumbaro.

Pra, meqë sipas Kumbaros, Shqipëria ka shumë zona të mbrojtura, atëherë maxhoranca e ka vlerësuar që t’i zvogëlojë.

Dhe, për zvogëlimin e tyre, natyrisht mënëyra më e shpejtë, por edhe më shkatërruese, është betonizimi.

Kumbaro, në emër të qeverisë shqiptare, i konsideroi jo-reale disa projekte të publikuara tashmë në media, të cilat tregojnë për betonizimin me resorte turistike të zonave të mbrojtura të Divjakës dhe Karavastasë.

Sot, ato projekte, si edhe të tjera, janë në letër, pasi kanë pritur miratimin e ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.

Tashmë që maxhoranca vendosi me forcën e kartonit që të lejojë ndërtimet në zonat e mbrojtura, mbtetet për t’u parë se cilët do të jenë oligarkët “që janë qofte me Edi Ramën në ballkonin e kryeministrisë”.

Natyrisht, pritet të jenë thuajse të njëjtët biznesmenë “investitorë strategjikë”, të cilët po mbarojnë projektet e tyre në bregdetin e Jugut dhe tashmë kanë hedhur sytë në çdo cep të Shqipërisë, ku natyra është zhvilluar e paprekur nga njeriu për shekuj me radhë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...