FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NE TUBIMIN QYTETAR
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ju qëndrestarë të paepur, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës dhe fitores.
Ju përshëndes dhe përulem me nderim të madh para jush.
Çdo natë, ju me tubimin tuaj, me fjalimet tuaja, jeni bërë zëri i vërtetë i shqiptarëve, të të gjitha moshave, të të gjitha shtresave.
Pas mbylljes së parlamentit Rama-Linda, i mbushur me trafikantë, me të inkriminuar, sot parlamenti i vërtetë, parlamenti i fjalës së lirë, jeni ju, misionarët e Rrugës së Shpresës.
Të dashur miq!
Sot në Tiranë u mblodh samiti i Europës Juglindore dhe Ukrainës.
PD, pas themelimit të saj, ka qenë lokomotivë e të gjitha proceseve integruese të Shqipërisë, në rajon, në BE, në NATO.
Ajo ka besuar fort dhe ka punuar për bashkëpunimin, miqësinë midis vendeve të rajonit, integrimin e Shqipërisë në Europë.
Por duke përshëndetur praninë e përfaqësuesve të vendeve të rajonit, në veçanti praninë e presidentit të Ukrainës, ndaj dhe ju ftoj të brohorasim së bashku: Lavdi Ukrainës.
Por rëndësinë e këtij samiti e zbehën dhe e dëmtuan shumë prania e binomit argat-padron, Vuçiç-Edvin.
Duke garantuar presidentin Zelenski se PD dhe Shqipëria qëndrojnë në mbështetje të fuqishme dhe të palëkundshme të betejës së tyre, të mbrojtjes së tyre nga agresioni barbar i Vladimir Putinit, dhe se ata kanë pasur dhe do kenë mbështetje gjer në fitoren e plotë të kauzës së tyre të drejtë.
Ky ka qenë qëndrimi i PD që ditën e parë të agresionit barbar të Vladimir Putinit.
Sikundër, PD ka denoncuar haptas para këtij agresioni të gjitha projektet serbo-ruse për hegjemoninë serbe në rajon dhe influencën ruse në Ballkan.
Është e hidhur miq, që në deklaratën e sotme të samitit, padroni dhe argati Rama dhe Vuçiç, nuk shqipëroi njëherë të vetme fjalën sanksione ndaj Rusisë.
Nuk shqipëroi një herë të vetme fjalën rrezik rus për Ballkanin.
Nuk shqipëroi një herë të vetme emrin e barbarit Vladimir Putin.
Miqtë e mi!
Të lëshosh një komunikatë me qindra e qindra fjalë dhe të mos guxosh të përmendësh njëherë barbarin Putin për agresionin e tij ndaj Ukrainës, është njëlloj sikundër të flisje për nazistët dhe të mos flisje për Hitlerin.
Po pse ndodh kjo?
Si ka mundësi që një komunikatë e publikuar nga krerë shtetesh dhe qeverish në kryeqytetin e një vendi të NATO-s, nuk guxon të thotë një fjalë të vetme, të përmende njëherë Vladimir Putinin, barbarin që urdhëroi sulmin mbi Ukrainën?
Arsyeja është vetëm një: në konferencë ishte Putini i vogël, ishte Aleksandër Vuçiç.
Dominimi i tij në samit ishte i papranueshëm.
Për vete ai nuk respekton sanksionet ndaj Rusisë. Përkundrazi, ka shndërruar Serbinë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë së Putinit.
Po mirë ai, po vendet e tjera, çfarë kishin që s’mund të përmendnin sanksionet ndaj Rusisë?
Kjo sepse mikpritësi i samitit, Edvin Rama, është argati i Vuçiçit dhe ata së bashku nuk lejuan të përmendej një herë të vetme fjala sanksione ndaj Rusisë, të përmendej një herë të vetme emri i Vladimir Putinit.
Qoftë si guxim për ta denoncuar siç e meriton, por edhe në respekt të mikut të shquar, i cili ka guxim dhe kurajo në emër të popullit të tij ta denoncojë atë si një barbar të vërtetë.
Të dashur miq!
Fatkeqësi e vendit të ketë një përfaqësues si Edi Rama.
Samiti u zhvillua, siç e patë ju, pa flamuj kombëtarë.
Asnjë flamur. Pa përmendur emrat e asnjë shteti. Pa përmendur emrat e asnjë vendi.
Kjo për turpin më të madh të Edi Ramës. Sepse kështu diktonte Putini i vogël.
Nuk mund të toleronte flamurin e Kosovës.
Dhe ky nacionalist i verbër preferon të fshehë edhe flamurin e tij, mjafton të mos valëvitet flamuri i Kosovës.
Kjo është një histori turpi për Edi Ramën.
Pra, çfarë është kjo miqtë e mi? Ky është kodi i dy autokratëve, i një padroni dhe një vasali që ngjajnë si pika e ujit me njëri-tjetrin.
Që vjedhin zgjedhjet dhe votën e qytetarëve të vendit të vet, që nuk pranojnë rotacionin, që janë të implikuar në skandalet më të mëdha korruptive.
Që ruajnë lidhjet më të tmerrshme me krimin e organizuar në vendet e tyre, në rajon dhe në botë.
Të dashur miq!
Ky samit kishte edhe një tipar tjetër.
Anëtar i delegacionit shqiptar ishte siç e patë ju, Aleksis Soros.
Aleksis Soros qëndronte bashkë me delegacionin shqiptar, duke harruar se ai mbron Edi Ramën, një Pashiq serb në Tiranë.
Prania e Aleksis Soros si anëtar delegacioni i Shqipërisë është dëshmia më flagrante e angazhimit të tij për të mbrojtur Edi Ramën pavarësisht nga çdo e zezë që kjo e keqe e madhe u bën shqiptarëve.
Aleksis Soros mbron Edi Ramën, njeriu i cili në tetë vite ka përzënë nga Shqipëria, duke vrarë shpresën, një të tretën e popullatës shqiptare, më shumë se çdo pushim i huaj në të gjitha kohërat, më shumë se çdo luftë botërore, rajonale, e çfarëdolloji nga një vend i caktuar.
Dhe ky mbron këtë sepse ka interesa të kundërta me shqiptarët.
Aleksis Soros është arkitekti bashkë me Sergei Lavrov, mbështetës kryesor i Ballkanit të Hapur, kundër Ballkanit të Nismës së Berlinit.
Mbështetës kryesor i ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, i bëj thirrje Kongresit të SHBA, i bëj thirrje miqve të Shqipërisë në Kongresin e SHBA, të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij në Europë, në Ballkan, në Shqipëri.
Dhe e garantoj…. a e dini ju se brenda dy javësh, kjo është hera e dytë që ndodhet në Tiranë ai. Ai nuk ka vend në botë më shumë se Tiranën.
Nuk ka një vend të dytë në botë, as edhe ndonjë shtet në SHBA, që ai viziton.
E garantoj se pavarësisht nga kjo mbrojtje që i bën Edi Ramës, e garantoj se kurrë Edi Rama nuk do mund të bllokojë më rotacionin.
Se Edi Rama do marrë ndëshkimin që meriton si armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve.
Si kryeministri më hajdut në historinë e këtij vendi.
Si njeriu që solli në rajon destabilizim. U angazhua në plane antishqiptare. Si njeriu që nuk njeh asnjë parim.
Të dashur miq!
Sot kryeministri i Greqisë nuk erdhi. Bojkotoi takimin.
Po pse e bojkotoi? Sepse Shqipëria sot është një shtet që shkelmon parimet më universale të lirisë njerëzore.
Që nuk pranon prezumimin e pafajësisë.
Që diskriminon me etni!
Që nuk respekton vlerat bazë.
Edi Rama përsëri sot me farsën e tij të turpshme shtyu procesin vetëm e vetëm për t’i marrë mandatin qeveritarit të zgjedhur.
Edi Rama, njëlloj si Putini, njëlloj si Lukashenko, si Ajatollahët, mban të arrestuar kryetarin e partisë më të madhe opozitare.
Sepse e di se nuk ka të ardhme. E di se zgjedhje nuk grabit më kurrë, se nuk ka fituar ndonjëherë.
Jo zotërinj, ata që u thonë ju se Edi Rama nuk është armiku më i madh i votës, u bëni një pyetje të thjeshtë secili çdo socialisti: na thoni pak kur ka marrë votën e fundit nga ju ky njeri në partinë e tij?
Nuk votohet më. Si në asnjë parti tjetër në Europë dhe në botë.
Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë me guxim këtë betejë pa kthim.
20 shkurti faktoi se ne jemi jo vetëm shumica morale, por jemi shumica politike, shumica numerike, forcë në botë që mund të na ndalojë ne që të jemi shumica qeverisëse nuk ka dhe nuk do ketë.
Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta.
Fitore, fitore, fitore!