17 mln euro investim/ Pas denoncimit të Berishës për zjarrin në QSUT-të, prokuroria regjistron procedimin

E Enjte, 29 February 2024 17:07

Pak ditë pas denoncimit të liderit të opozitës Sali Berisha për fshehjen e zjarrit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Prokuroria e Tiranës konfirmon regjistrimin e procedimit penal.

Hetimet po kryen me akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, pa persona nën hetim, por po hetohet fakti në tërësi dhe në varësi se si do të rezultojnë hetimet, nuk përjashtohet mbajtja e përgjegjësisë penale. 

 

Për këtë vepër penale, kur kryhet me dashje ligji parashikon dënimin me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet. Dhe kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Ndërkohë kanë dalë në dritë edhe disa të dhëna të ekspertizës së kryer, e cila përcakton paraprakisht se ngjarja është aksidentale dhe zjarri në katin e dytë në dhomën teknike të godinës ka rënë si pasojë e një keq-funksionimi të pajisjeve bateri (U.P.S-ve) nga ku rezulton se është edhe vatra e zjarrit”.

Lidhur me këtë çështje Prokuroria e Tiranës po kryen veprime hetimore edhe me dokumentacionin dhe projektet e zbatuara nga kompania që ka kryer punimet për ndërtimin e objektit apo pajisjeve që janë vendosur aty. 

Më 26 shkurt, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi qeverinë dhe ministrinë e Shëndetësisë se po mbajnë të fshehtë zjarrin në spitalin e QSUT, i cili është inaguruar vetëm disa muaj më parë, në një investim prej 17 milionë euro.

Berisha ndau denoncimin e një mjekeje në QSUT, e cila shkruan se 16 ditë pas zjarrit situata në spital është në kolaps, me aparatura jashtë funksionit dhe se qytetarët nuk marrin shërbim ndërsa mjekët po vihen në presion.

Sipas këtij denoncimi,  Ministria e Shëndetësisë po bën gjithçka për të mos lejuar hetimet për zjarrin.

“Ministria po bën gjithçka që të minimizohet dhe të shmanget hetimi dhe nxjerrja e përgjegjësive për zjarrin dhe nuk lejon punonjësit të futen e katet e nëndheshme të shkrumbuara”, pretendon mes të tjerave denoncuesi.  Sipas denoncimit të mjekes, problemi fillon që në ngritjen e spitalit, i cili u konceptua me gjysmën e kapacitetit të shtretërve dhe të gjithë shërbimeve, edhe pse Tirana ka përqëndrimin e popullsisë dhe spitali i ndërtuar para viteve ’90, kishte 2 herë më shumë mundësi për shtrime pacientësh e shërbimesh.

Zjarri në Spitalin e QSUT ka  rënë me 11 shkurt, teksa rreth një javë më pas alarmi u aktivizua sërish, duke çuar në shpërndarjen e pacientëve nëpër spitalet e tjera.

Pasi lajm u bë publik në media, QSUT shpërndau vetëm një reagim ku thuhet se  janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll, por deri më sot, urgjencat janë drejtuar tek “Trauma” dhe “Shefqet Ndroqi”

Login to post comments