Kur mendon se i ke parë të gjitha shëmtitë e Reformës së Re në Drejtësi, gabohesh, sepse pas çdo skandali e shpërfytyrimi të institucioneve të drejtësisë dhe personazheve që i drejtojnë ato, ia beh një skandal edhe më i madh.
Këtë herë është një armatë ushtarësh të organizatës së partisë në pushtet, ajo që të le pa gojë me reagimin e saj, quhet
Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Po çfarë është KLGJ?
“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është një organ kolegjial, i përbërë nga 11 anëtar me një mandat 5 vjeçar, i cili siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ky është roli i këtij organi të drejtësisë së re, e gjen lehtësisht cilido në faqen zyrtare.
Për ta thjeshtëzuar, ky organ i drejtësisë së re, në letra, ka detyrë të sigurojë përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor.
Pra, pak a shumë është si një drejtori kolegjiale e një shkolle që ka detyrë që në shkollë të ketë mësues të përgjegjshëm, të përgatitur dhe pasi siguron këto, edhe i mbron ata publikisht nga cilido që u bie në qafë.
Në ditën që kryegjyqtarja Irena me 3 mbiemra dëshmohet si person i dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh, dëshmohet si person i dëbuar nga zona Shengen për 12-vjet, KLGJ-ja, 11 burra e gra që paguhen nga taksat e shqiptarëve, në vend që mblidhej urgjentisht dhe të merrte masa ndaj gjyqtares falsifikatore, u bën ‘forward’ mediave e-mailin e shkruar nga Endri Fuga, ku pretendon se gjyqtarja e papërgjegjshme, falsifikatore, fshehëse e të kaluarës së saj në vetting, po u sulmuaka politikisht.
KLGJ-ja pretendon se gjyqtarja po sulmohet mediatikisht, gjithashtu.
E vërteta është se Irena Gjoka-Maneku-Shpata nuk po sulmohet aspak mediatikisht, ajo po sulmohet nga e shkuara e saj e errët.
Ajo po sulmohet nga mafia në pushtet, e cila e ka marrë peng duke i tundur të shkuarën për ta përdorur politikisht sipas interesit të momentit.
Syri pyeti publikisht Irenën nëse ishte në konflikt interesi me çështjen ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, apo jo, por ajo heshti.
Dokumenti që faktonte konfliktin e interesit doli, por këtë herë nuk heshti vetëm Irena, heshti edhe KLGJ-ja.
Askush nuk e vuri ujin më zjarr se qenia e saj në atë proces ishte shkelje flagrante e ligjit. Dhe sigurisht nuk e vunë ujin në zjarr jo se janë të paditur për ta kuptuar kur shkelet ligji, por se e dinë që i përvëlon Edi Rama në ujë të valuar si pula, nëse respektojnë ligjin.
Në ditën që media e madhe greke publikon lajmin, ku thuhet se Irena Gjoka është provuar dhe dënuar si falsifikatore dokumentesh në Greqi, KLGJ, në vend të dalë dhe të kërkojë falje për papërgjegjshmërinë dhe turpin që një individ i gjyqësorit ka bërë, del dhe lexon me “naivitetin” e Shvejkut e-mailet e Endri Fugës.
Fatkeqësia nuk është se KLGJ reagon në mënyrë të turpshme për t’i bërë bisht përgjegjësisë, fatkeqësi është se këta njerëz paguhen miliona lek në muaj nga xhepat e shqiptarëve për të tilla turpe.
Reagimi i turpshëm i KLGJ në mbrojtje të falsifikatores me 3 mbiemra:
“Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre crnojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar komprometimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.
Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.
Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë”.